Një ngjarje e rëndë është parandaluar në qytetin e Lezhës. Policia ka vënë në pranga një 36-vjeçar, të cilit në makinë i është gjetur një arsenal i madh armësh.
Në pranga ka rënë 36-vjeçari Antoni Leka, ndërkohë që mësohet se ka qenë një telefonatë e vëllait të këtij të fundit, i cili ka vënë në dijeni forcat blu. Vetë policia bën me dije se është paralajmërua se ai do të kryente një krim shumë të rëndë.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe nga familjarët e një 36-vjeçari që po qarkullonte në qytetin e Lezhës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat kishte paralajmëruar se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Lavazhi” duke angazhuar shërbime të shumta policie. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – A. L. 36 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje””, tha policia.
Sipas informacioneve, objektivi i tij kanë qenë strukturat partiake dhe shtetërore në Lezhë. Në momentin e arrestimit ai ka deklaruar se ishte nisur të vriste politikanët e Lezhës. “Do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre”, ka pohuar Leka.
Policia bën me dije se atij i janë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
Ndërkohë deri diku edhe policia e konfirmon se ai po përgatitej për një ngjarje të madhe, pasi shprehet se nuk mund të nxjerrë emrat e personave që i riu kishte në plan të vriste. “Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari”, njofton policia.
Sipas burimeve, ai është djali i një ushtarakeje me grada të larta. Ndërkohë që nuk dihet se ku i gjeti armët.