Foto: Izraeli mund të vazhdojë të zgjerojë kolonitë e tij në Jerusalemin lindor, pavarësisht rezolutës së OKB-së që e detyron t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze.

Mund të jepet një leje ndërtimi për të ndërtuar 618 banesa në Jerusalemin lindor, pavarësisht nga apeli i OKB-së për të ndaluar kolonizimin.

Shteti i Izraelit synon të injorojë rezolutën e OKB-së që i kërkon të ndalojë ndërtimet e vendbanimeve në territoret palestineze? Një komitet planifikimi izraelit duhet të diskutojë sot, e mërkurë 28 dhjetor, lëshimin e lejes së ndërtimit për 618 shtëpi në Jerusalemin lindor, sipas një OJQ anti-kolonizimit. Diskutimet do të përqendrohen në çështjen e dhënies së lejes për ndërtimin e banesave në lagjet e Pisgat Zeev (140), Ramat Shlomo (262) dhe Ramot (216), në Jerusalemin lindor, pjesa palestineze e qytetit të shenjtë dhe e aneksuar nga Izrael, ka saktësuar tha OJQ izraelite Ir Amim.

Nënkryetari i Bashkisë së Jerusalemit, Meir turgeman, i cili kryeson komisionin, deklaroi për AFP-në se votimi i të premtes së kaluar nga OKB-ja i rezolutës që i kërkon Izraelit të “pushojë menjëherë dhe plotësisht çdo aktivitet kolonizimi në territorin e pushtuar palestinez, përfshi Jerusalemin lindor”, nuk e vë aspak në pikëpyetje këtë mbledhje, të parashikuar prej kohësh. “Ne do të diskutojmë në mënyrë serioze për gjithçka që do të shtrohet në takim”, siguroi Meir Turgeman.

Rezoluta e OKB-së, e para që dënon kolonizimin izraelit që nga viti 1979 – edhe pse ajo nuk parashikon sanksione – u miratua të premten, 23 dhjetor, nga 14 vende nga 15 anëtarë që ka Këshilli i Sigurimit. Shtetet e Bashkuara abstenuan, duke lejuar miratimin e tekstit që shkaktoi zemëratën e shtetit hebre. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër presidentin amerikan Barack Obama, i akuzuar për një “goditje të turpshme anti-izraelite” në Kombet e Bashkuara.

 

Ngricë diplomatike

Washingtoni, nga ana e tij njoftoi se Sekretari i Shtetit John Kerry do të paraqesë të mërkurën vizionin që kishte administrata amerikane në largim për procesin e paqes izraelito-palestinez. “Ne nuk kemi hequr dorë [nga ky vizion] dhe ne mendojmë se as izraelitët dhe palestinezët s’duhet të heqin dorë” deklaroi të martën zëdhënësi i diplomacisë amerikane, Mark Toner. John Kerry beson se “është detyra e tij, gjatë këtyre javëve dhe ditëve të fundit si sekretar shteti, të paraqesë atë që ai mendon se është rruga për një zgjidhje me dy shtete”, sipas Toner. John Kerry do të mbajë fjalimin në Departamentin e Shtetit para të ftuarve të shumtë, mes të cilëve edhe diplomatët e pranishëm në Uashington.

Benjamin Netanyahu ka deklaruar se nuk do t’i përmbahet rezolutës dhe njoftoi të martën se po i “redukton” marrëdhëniet me vendet që votuan pro. Izraeli ka tërhequr tashmë ambassadorët e tij në Zelandën e Re dhe Senegal, dhe ka anuluar programin e tij të ndihmës në këtë vend të Afrikës perëndimore. Të martën shteti hebre informoi gjithashtu Angolën për ngrirjen e programit të tij të ndihmës. Përfaqësuesit e 10 nga 14 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit që votuan pro tekstit, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara, u thirrën të dielën në Ministrinë e Jashtme izraelite. Të paktën dy udhëtime janë anuluar ose shtyrë, ndër të cilët vizita e planifikuar për këtë javë në Izrael, e Kryeministrit të Ukrainës.

Vendbanimet izraelite, konkretisht ato në Jerusalem, konsiderohen nga komuniteti ndërkombëtar si të paligjshëm dhe si pengesa kryesore për paqen, veçanërisht për shkak se vendbanimet janë ndërtuar në tokën që mund t’i takojë shtetit për të cilin palestinezët aspirojnë, duke kërcënuar kësisoj mundësinë e zgjidhjes së konfliktit bazuar në një solucion me dy shtete. 430,000 kolonë izraelitë jetojnë aktualisht në Cisjordaninë e pushtuar dhe ata janë më shumë se 200.000 në Jeruzalemin lindor, aneksimi i të cilit nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

 

“Një tjetër Proces Dreyfus”

Konferenca ndërkombëtare për Lindjen e Mesme, që duhet të organizohet nga Franca më 15 janar në mungesë të palestinezëve dhe izraelitëve, është një tjetër shqetësim diplomatik për Izraelin. Zyrtarët izraelitë kanë frikë se kjo konferencë do të përdoret për të marrë masa shtesë kundër shtetit hebre, të cilat mund t’i nënshtrohen një votimi të ri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së para marrjes së detyrës të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump më 20 janar. Palestinezët e mbështesin mbajtjen e konferencës, ndërsa izraelitët janë të shqetësuar. Ministri i Mbrojtjes Avigdor Lieberman e cilësoi të hënën atë si një “tjetër proces Dreyfus”, duke u bërë njëkohësisht thirrje hebrenjve të Francës për t’u vendosur në Izrael.

Në Francë, “Çeshtja Dreyfus” – nga emri i një kapiteni ushtrie, hebre, i dënuar me burg për spiunazh në 1894 dhe rehabilituar më pas në 1906 – e pati ndarë thellësisht shoqërinë e kohës dhe mbetet sot një simbol i antisemitizmit. “Paqja në Lindjen e Mesme mund të ndërtohet vetëm në një frymë tolerance, transparence dhe dialogu. Në këtë perspektivë e propozoi Franca nismën e saj për paqen në Lindjen e Mesme dhe synon të vazhdojë përpjekjet e saj për të organizuar konferencën e 15 janarit”, deklaroi të martën Ministria e jashtme e Francës.

/Veritas.com.al/