Ushtria izraelite tha se autokolonat me ambulanca që sulmoi jashtë spitalit Al Shifa në Gaza, po përdoreshin nga Hamasi.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë në veçanti se një nga avionët e saj goditi një ambulancë “e cila u identifikua se po përdorej nga një celulë terroriste e Hamasit”.

Ministria e shëndetësisë e Hamasit në Gaza pretendoi se dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën nga bombardimet, për të cilat fajëson Izraelin.

Një zëdhënës i IDF tha se një numër i militantëve të Hamasit ishin vrarë dhe se kishte “informacion që vërteton se mënyra e veprimit të Hamasit është të transportojë terroristë dhe armë në ambulanca”.

“Kjo zonë është një zonë luftimi. Civilëve në zonë u është thënë vazhdimisht që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre”,  tha zëdhënësi.

Të paktën 13 të vdekur dhe 26 janë plagosur

Dhjetëra palestinezë u vranë ose u plagosën kur Izraeli shënjestroi një autokolonë me ambulanca që po largohej nga spitali Al Shifa në qytetin e Gazës, njoftoi Al-Aqsa TV.

Ushtria izraelite tha se po shqyrtonte raportet. Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte këtë informacion. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, 13 persona kanë mbetur të vrarë dhe 26 janë plagosur.