Mediat siriane raportojnë se avionët luftarakë izraelitë kanë realizuar një sërë sulmesh ajrore në territorin sirian, duke përfshirë kryeqytetin Damask. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), një organizatë që monitoron situatën në Siri, ka njoftuar se janë realizuar më shumë se 100 sulme ndaj objektivave ushtarakë sirianë. Ndër objektivat e goditur, është përmendur një qendër kërkimore që dyshohet të ketë lidhje me prodhimin e armëve kimike.
Izraeli ka deklaruar se sulmet e tij kanë si qëllim të parandalojnë rënien e armëve në duar të ekstremistëve, duke argumentuar se kjo është një masë për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe për të parandaluar përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Në këtë kuadër, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një takim për të diskutuar situatën në Siri pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assad. Ky takim u përqendrua në nevojën për të ruajtur integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë, për të mbrojtur civilët dhe për të siguruar që ndihma humanitare të arrijë atje ku është e nevojshme.
SOHR ka raportuar se në dy ditët e fundit ka pasur një intensifikim të sulmeve ajrore izraelite, duke përfshirë një objektiv në Damask, që dyshohet të ketë pasur lidhje me zhvillimin e raketave nga shkencëtarë iranianë. Po ashtu, sulmet vijnë pas një paralajmërimi nga mbikëqyrësi kimik i OKB-së, që kërkoi që autoritetet siriane të sigurojnë rezervat e dyshuara të armëve kimike.
Përdorimi i armëve kimike është i ndaluar nga ligji ndërkombëtar, dhe Siria ka qenë nën vëzhgim të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), e cila kërkoi siguri për mbajtjen dhe ruajtjen e këtyre armëve. Pavarësisht se Siria nënshkroi marrëveshjen për ndalimin e armëve kimike në vitin 2013, mbetet ende e paqartë se sa armë kimike ka Siria dhe ku ndodhen ato.
Komente