Nga Enkel Demi/

Duhej qëmtuar delegacioni që shoqëroi kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë në Greqi për të kuptuar sa shumë deputetë grekë ka në Kuvendin e Shqipërisë. Të mendosh që një pjesë e politikanëve minoritarë, grekofonë dhe grekofilë qëndruan në Tiranë, sepse dikush duhet të qëndrojë të ruajë Shqipërinë.

Kur i sheh të gjithë tok, kupton se fqinjët tanë kanë financuar me bujari lëvizje të mirëfillëta politike në Shqipëri e padyshim personalitete politike.

Më kujtohet përherë një zotëri që shiste flamuj kombëtarë buzë rruge në Radhimë. Ai më thoshte që sikur ta donim atdheun, aq shumë sa grekët e duan Shqipërinë. E vërtetë ngjan kjo sot, kur fjala vjen nga opozita kanë heshtur si fija e barit do thoshte doktori, teksa Çështja Çame konsiderohet problem i së shkuarës. Kanë heshtur edhe tre deputetët çamë të PD-së që nuk i ka dhënë izëm partia të çelin gojën. Heshtën të gjithë anëtarët e delegacionit të famshëm, kur kryetari i Kuvendit të Greqisë foli për zgjidhjen e çështjes së të rënëve. Çështjet e tyre nuk i përkasin të kaluarës, çështjet tona po.

Megjithatë, nuk është koha e pathosit, fjalimeve apo shkrimeve patetike me fill patriotik, as publikimit të vargjeve të poetëve, thirrjes “O sa mirë me qen’ shqiptar!”. Është koha e llogarive të imëta elektorale. Duhet thënë në radhë të parë haptas e pa kurrfarë droje që asnjë qeveri nuk vjen dot në pushtet në Tiranë, nëse më parë nuk merr përkëdhelitë e Athinës. Kjo shpjegon përse Lulzim Basha dhe Gent Strazimiri, kur shkojnë në Shtetet e Bashkuara e kanë me merak të madh të takojnë në odën e ngrohtë lobin grek që aspiron ndarjen e Shqipërisë me projektin e Vorio Epirit.

Kjo shpjegon që tashmë me financime të drejtpërdrejta greke po themelohet një parti e re brenda së majtës, e cila synon të çajë votën që mban qeverinë në këmbë dhe më pas të themelohet një pol i tretë që është ngjizur dhe gjeti mbështetjen e duhur tek fqinjët tanë.

Pas festave të fundvitit, ku kryeministri do bëjë sallore sërish bulevardit sa tek shtëpia e tij, sa tek Kryesia, mund të parashikojmë një krizë politike pranverore. Prilli është gjithmonë muaj i mirë për ngritjen e aleancave të reja. Del gjethi i ri, ndërron dhe gjaku.

Do kemi polin e tretë, kap ça t’kapësh nga e djathta dhe një fushatë, ku gjithë mëkatet e keqeverisjes do kenë veç një fajtor, Edi Ramën, si ishte i vetmi Sali Berisha para katër vjetësh.

Për këtë, për pushtetin e nesërm me grekofonë, vllehë të Pindit dhe pak shqiptarë ja vlen ta mbyllësh në sënduk Çështjen Çame.

“Sulmoni shtabin!”, thoshte shoku Mao.

( Marrë nga 27.al )