Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, të enjten e 20 janarit ka njoftuar se për shkak të temperaturave të ulëta, shkollat do të mbyllen tre ditë.
Përkatësisht më 24-26 janar, procesi mësimor nuk do të zhvillohet, kjo pasi në ditë në vijim priten temperatura tepër të ulëta, “të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius”.
Kushi theksoi se orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.
“Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rendësi prioritare”, vijoi Ministrja.
Nga ana tjetër ajo iu drejtua edhe prindërve që marrin masa për veten dhe fëmijët, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit.