Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, përmes alegorisë ka dhënë mesazhe të qarta për Shqipërinë se nuk ka afat kohor për negociatat me BE, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama pas takimit mes tyre.
Ai tha se për asnjërin nga vendet nuk ka një datë për anëtarësimin, por shpreson që me vijimin e reformave, negociatat të çelen sa me shpejt, pa dhënë asnjë afat kohor.
Në fjalën e tij, Juncker, theksoi se nuk ka një datë të caktuar për anëtarësimin për asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por gjithësecili do vlerësohet sipas ecurisë.
Zoti Juncker theksoi rëndësinë e mbylljes së konflikteve dhe paqartësive territoriale me vendet fqinje, si kërkesë e detyrueshme para anëtarësimit.
Ai vlerësoi nisjen e reformës në drejtësi, vettingun dhe reformat e tjera të qeverisë dhe kërkoi vijimin e tyre.
Në fund të fjalës së tij, kreu i KE-së, tha se Shqipëria do vlerësohet për hapat që hedh ndërsa tha se çelja e negociatave do vendosej nga shtetet anëtare në votimin e prillit e deri atëherë kërkoi më shumë punë nga Shqipëria në vijimin e reformave.
Konferenca e përbashkët për shtyp u shoqërua me batuta me Juncker e Ramës.
Batutat
Rama: Na vjen keq që nuk ju pritëm me klimë të mirë, por gjithsesi po ju bëjmë të ndjeni klimën e Brukselit, ftohtë, shi dhe mërzi.
Juncker: Kam ardhur në Tiranë për t’i shpëtuar klimës së Brukselit, por po e gjej sërish klimën e Brukselit.
Rama: Në rastin më të mirë do hyjmë bashkë me Serbinë, në rastin më të keq do hyjmë para saj.
Juncker: Është e vështirë të japësh gjykim përfundimtar për vendet anëtare. Ata e kanë tashmë një përvojë të gjatë në këtë drejtim. Faleminderit, ju uroj një mbrëmje të këndshme, jam i uritur.
Veritas.com.al/