Jep dorëheqjen kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç. Ky vendim vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.

Në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve, Vuçeviç tha se arsyeja e dorëheqjes së tij ishte sulmi ndaj studentëve që ndodhi mbrëmë në Novi Sad para objekteve të partisë.

“Kjo politikë të cilës i përkas, partia që unë drejtoj, partia që fitoi, duhet të tregojë shkallën më të lartë të përgjegjësisë, të sjellë dhe të tregojë rregulla të reja të së drejtës në politikën serbe, të tregojë se është më e përgjegjshmja. Pas kësaj ngjarjeje mbrëmë në Novi Sad, vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqjen si kryeministër i Republikës së Serbisë. Kam pasur një takim të gjatë me presidentin Vuçiç, ai pranoi vendimin dhe argumentet e mia.”, tha Vuçeviç.

Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kanë protestuar javët e fundit duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *