Trajneri i Romës, Jose Mourinho është shkarkuar nga detyra me vendim të bordit drejtues të skuadrës italiane.

Humbja ndaj Milanit në “San Siro” ishte goditje fatale për teknikun portugez.

Deklarata zyrtare e klubit verdhekuq:

“AS Roma njofton se José Mourinho dhe bashkëpunëtorët e tij teknikë do të largohen nga klubi me efekt të menjëhershëm.

Falënderojmë José në emër të të gjithëve te AS Roma për pasionin dhe angazhimin që ka vënë që nga ardhja e tij te verdhekuqtë.

Ne do të mbajmë përherë kujtime të shkëlqyera për menaxhimin e tij, por besojmë se, në interesin më të mirë të klubit, është i domosdoshëm një ndryshim i menjëhershëm.

Ne i urojmë José dhe stafit të tij gjithë të mirat për të ardhmen”.

Tashmë pritet të kuptojmë se kush do ta drejtojë Romën nga tani deri në fund të sezonit, teksa në deklaratën e klubit saktësohet edhe se stafi i ri teknik i ekipit të parë do të emërohet së shpejti.

Tifozët ëndërrojnë zbarkimin e Daniele De Rossi, ekziston edhe mundësia e një zgjidhjeje të brendshme (Bruno Conti apo Alberto De Rossi), por mund të mbërrijë edhe një goditje befasuese, siç na kanë mësuar ‘Friedkins’ në këto tri vite e gjysmë të presidencës së tyre.

I mbërritur në verën e vitit 2021, Mourinho largohet pa e përfunduar kontratën e tij 3-vjeçare, me fitimin e Ligës së Konferencës në Tiranë dhe shkuarjen në finalen e Ligës së Evropës në Budapest, vitin e kaluar. Sidoqoftë, paraqitjet e Romës së tij në Serie A kanë qenë shumë zhgënjyese.