Helidon Bendo kreu SHISH është shprehur i shqetësuar përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, për përpjekjet për të rritur influencën ruse në Shqipëri.
Një burim i tha Top Channel se pjesë e asaj çfarë Helidon Bendo ka ndarë me deputetët ishte edhe shqetësimi për tentativat e Rusisë në rritjen e influencës në Shqipëri.
“Nga analiza e të dhënave për vitin 2018 vërejmë një rritje të tentativës nga Rusia për ta shtuar, influencën në vendin tonë” është shprehur Bendo i cili nuk ka dhënë detaje të aktorëve që po përdor Moska për rritjen e kësaj influence.
Disa prej anëtarëve të komisionit të sigurisë kombëtare kanë ngulmuar duke i drejtuar një mori me pyetje.
Ata e pyetën kreun e SHISH nëse influenca ruse shkon deri në nivele të larta të politikës shqiptare.
‘Jo!’, ka qenë përgjigja e Helidon Bendos, nuk kemi informacione.
Deputeti Myslym Murrizi i ka drejtuar disa pyetje në lidhje me ekzistencën e një grupi oficerësh të korruptuar, në policinë e shtetit.
“Ne nuk mund të analizojmë veprime në grup, por mbledhim informacion të personalizuar. Nuk na rezulton që në policinë e shtetit te ketë një grup oficerësh të korruptuar”, citohet të jetë përgjigjur Helidon Bendo.
Raporti vjetor i SHISH tashmë ndodhet mbi tavolinën e kryeministrit Rama dhe presidentit Meta.
Deputeti Xhemal Qefalia, në nisje të raportimit kërkoi nëse ndonjë pjesë e raportit nuk përmbante informacion të klasifikuar, të paraqiteshin në praninë e kamerave.
Këtë kërkesë të zotit Qefaliaj e mbështeti edhe kryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj, e cila theksoi se e mbështet propozimin e deputetit Qefalia.
Por Helidon Bendo u shpreh se raporti ishte i klasifikuar dhe se seance duhet të bëhej pa praninë e medias.
Gjithsesi ai premtoi se një përmbledhje e raportit vjetor të SHISH do të ishte i aksesueshëm për publikun.
Deri në përmbushjen e këtij premtimi mbetet e paqartë nëse trafiku drogës, krimi organizuar, influenca ruse, spinunazhi i Iranit apo faktorë të tjerë, janë cenuesit më të mëdhenj të sigurisë kombëtare.
Veritas.com.al/