Një e shtënë arme në Rrugën ‘Myslim Shyri’ ( siç u tha dje, por sot policia thotë se është rruga ‘Muhamet Gjollesha’) tronditi dje gjithë kryeqytetin. Në orët e para të paradites, në rrethana krejt të errëta, një djalë në moshën 26 vjeç u qëllua me një plumb në kokë dhe u transportua për në spital në gjendjen më të rëndë. As dihej emri i tij, as dihej nga kush u qëllua; veç një fakt që kishte marrë një plumb në kokë.

Gjatë gjithë ditës së djeshme nuk u mësua gjë, veç faktit që djali ishte punëtor teknik për kondicionerët dhe po punonte për rinovimin e një vile. Djali luftoi me vdekjen rreth 24 orë, ndërsa sot humbi jetën.

Sot në mëngjes Policia e Tiranës ka shpallur emrin e djaloshit, Indrit Çela. Policia ka thënë se ka prova që Indriti është qëlluar me armë nga dy djemtë e pronarit të vilës, të cilët janë shpallur në kërkim.

Policia e Tiranës thotë se e ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur dje.

Policia sqaron se nga hetimi ka rezultuar “se ne ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, shtetasi G.K, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. K, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin I.Ç, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, ka plagosur rëndë me armë zjarrin shtetasin I.Ç, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital”.

Dy autorët e krimit janë shpallur në kërkim, ndërsa janë arrestuar katër bashkëpunëtorët në krim. Gjithashtu, policia sqaron se autorët e vrasjes kanë biseduar me shokun e tyre, shtetasin L. V., i ndaluar në orët e vona të natës, dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.

Policia ka njoftuar se të dy djemtë e pronarit të vilës janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia shton se janë arrestuar në flagrancë për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, 4 shtetas, mes tyre edhe pronari i vilës.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore intensive, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimtit, ka bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 22.08.2019, rreth ores 11.00, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ne ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, shtetasi G.K, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij shtetasin A. K, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin I.Ç, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, ka plagosur rëndë me armë zjarrin shtetasin I.Ç, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital.

Dje u raportua se autor i dyshuar i ngjarjes ishte shtetasi L.V., 27 vjeç, i cili u arrestua gjatë orëve të vona të natës, por nga hetimet ka rezultuar se ai nuk është autor i plagosjes. Nga veprimet hetimore, rezultoi se katër dëshmitarët kanë biseduar me shtetasin L.V, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.

VERITAS.COM.AL/