Aurel Bylykbashi, kryetari i PD-se i qytetit të Elbasanit, i arrestuar pak ditë më parë për incidentet në Librazhd, ku u sulmua në një tubim të opozitës eskorta e Kryeministrit Edi Rama, është shoqëruar sot sërish në komisariat.

Ish-deputet me dy mandate në Kuvend, Bylykbashi u shoqërua  pas deklaratave të bëra dje në tryezën ku u themelua  Aleanca me Qytetarin në Mbrojtje të Lirisë dhe Demokracisë, në Elbasan.

Bylykbashi u thirr për të sqaruar deklaratën e tij, teksa u shpreh se nëse do të ketë vëllavrasje, apo luftë civile, le të ketë, pasi PD-ja dhe opozita është e vendosur të mos lejonin kthimin e komunizmit.

Kjo thirrje është konsideruar anti-kushtetuese, si nxitje për dhunë nga policia.

Bylykbashi ndodhet në komisariat ku vijon të merret në pyetje nga policia.

Aurel Bylykbashi deklaroi dje për përgatitjet që duhen bërë gjatë kësaj jave, ku veçoi edhe vizitën e nesërme të Kryeministrit Edi Rama në Elbasan.

“Kjo aleancë që krijohet sot por dhe në çdo qytet të Shqipërisë duhet të ketë axhendë të qartë dhe objektiva të qarta. Ne kemi dy evenimente.

“Është data 26 kur kryeministri Edi Rama drejtohet në Elbasan për të bërë takimin elektoral të radhës. Ne duhet të jemi të gjithë në Bradashesh dhe t’i themi më qartë se kurrë se ky vend nuk të do dhe nuk ka burrë që mund të na kthejë ne nga rruga jonë”, theksoi Bylykbashi.

“Nga ana tjetër vjen data 30, ka shumë zëra që thonë e parashikojnë Kasandrën. Dmth do të ketë luftë civile, vëllavrasje etj. Një gjë dua ta them qartësisht dhe prerë. Personalisht me të gjithë miqtë e mi, por jam i bindur që ky është qëndrim i fortë i PD-së dhe aleatëve të saj.”

“Ne nuk do të lejojmë zgjedhje më 30 qershor. Ka vëllavrasje. Ka luftë civile, le të ketë. Patjetër që të ketë. Ne nuk kthehemi mbrapsht sepse ne nuk bëjmë gabimin që bëjnë gjyshërit tanë në 1944 e të ngelemi peng për 40 vite të tjera. Historia të shkruajë më pas dhe të thotë kishin të drejtë këta ose ata. Ne nuk do të merremi me post ngjarjen por me ngjarjen.”

Veritas.com.al/