Situata e luftës në Gazë pritet të mbetet e përkeqësuar, pasi qeveria izraelite miratoi të premten një plan për ta marrë tërësisht nën kontroll zonën palestineze.

“Ushtria izraelite do të përgatitet të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, duke i ofruar ndihmë humanitare popullatës civile jashtë zonave të luftës,” njoftoi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Vendimi erdhi pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare se luftës midis Izraelit dhe Hamasit duhet t’i vijë fundi, ndërkohë që shumë qytetarë në Izrael janë ngritur në protesta, pasi kanë frikë se çfarë do të ndodhë me pengjet që Hamasi mban prej 22 muajsh, që kur nisi konflikti më 7 tetor 2023.

Qeveria izraelite ka miratuar këto kushte për t’i dhënë fund luftës:

Hamasi duhet të çarmatoset;
Të gjitha pengjet duhet të kthehen, qofshin gjallë apo të vdekur;
Rripi i Gazës duhet të çmilitarizohet;
Siguria në Rripin e Gazës duhet të kontrollohet nga pala izraelite;
Duhet formuar një qeveri civile alternative, e cila nuk është nën drejtimin e Hamasit apo Autoritetit Palestinez.
Francesca Albanese, raportuesja speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, deklaroi më parë se njoftimi i kryeministrit Netanjahu për Gazën “është po aq shokues sa lufta që i paraprin atij.”

“Kjo tregon dëshpërimin e kryeministrit izraelit,” tha ajo në një intervistë për kanalin televiziv BBC News, duke shtuar se kryeministri Netanjahu vazhdon të shkelë ligjet ndërkombëtare, siç ka gjykuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për sa i përket futjes së ushtrisë izraelite në territoret palestineze.

Ofensiva ushtarake izraelite raportohet se ka lënë të vrarë mbi 61 mijë palestinezë në gati dy vite luftë. 42 qytetarë të Gazës u vranë të enjten, një pjesë e tyre duke pritur ndihmat për t’u lehtësuar nga kriza e urisë që ka pllakosur vendin.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *