Dy kritere të rëndësishme sa i përket regjimit të qarkullimit në Kakavijë kanë ndryshuar që prej ditës së sotme. Kuota prej 1500 personash që po vijonte prej muajsh është tashmë një numër pasagjerësh dhe udhëtarësh pa limit ndërsa edhe qarkullimi që ishte i limituar në 12 orë tashmë është 24 orë.

Megjithatë të gjithë qytetarët që kalojnë kufirin drejt Greqisë duhet të paraqesin para autoriteteve greke një test PCR negativ ose njërën prej certifikatave të vaksinimit. Të gjitha vaksinat përfshirë atë kineze pranohen prej autoriteteve greke.

“ Na kanë kërkuar PCR dhe unë kam bërë edhe të dyja vaksinat kështu që nuk kërkohet gjë tjetër”

“ Po shkoj në Janinë për probleme shëndetësore. I kam bërë të gjitha dokumentet jam në rregull. Qarkulloj me vaksinën”

Sigurisht që ka qytetarë që udhëtojnë për të takuar të afërmit e tyre, dhe për arsye pune megjithatë numrin kryesor e mbajnë qytetarët që udhëtojnë për turizëm, numër që pritet të jetë më i lartë përgjatë fundjavës. Gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar 1505 qytetarë që nuk është një numër shumë më i lartë sesa kuota ditore e mëparshme, ndërsa edhe numri i qytetarëve në hyrje ka qenë i rëndësishëm me gati 1330 të tillë.

Autoritetet greke janë duke kërkuar garanci financiare, adresën e një bujtësi në anën tjetër të kufirit apo prenotim të hotelit në rastet e atyre që udhëtojnë për turizëm.

VERITAS.COM.AL