
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka informuar disa prej partnerëve më të rëndësishëm në botë për sulmet që do të kryente vendi i tij në Iran. Ndër këto vende ka qenë edhe Gjermania.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se është informuar me telefon në lidhje me veprimet ushtarake dhe objektivat që do të goditeshin në Iran.
Merz bëri të ditur se më pas ka ftuar në takim Kabinetin e Sigurisë së qeverisë federale. Në një deklaratë për publikun ai tha se “Programi bërthamor iranian shkel dispozitat e Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore dhe përbën një kërcënim serioz për të gjithë rajonin, veçanërisht për shtetin e Izraelit”.
“Izraeli ka të drejtë të mbrohet”
“Ne riafirmojmë qëndrimin seIzraeli ka të drejtë të mbrojë ekzistencën e tij dhe sigurinë e qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratë. Në të njëjtën kohë, Merz u bëri thirrje të dyja palëve të “përmbahen nga hapat që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të destabilizojnë të gjithë rajonin”.
Gjermania është e gatshme “të ndikojë tek palët në konflikt me të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion. Qëllimi duhet të mbetet që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore”.
SHBA dhe BM të gatshme të ndihmojnë
Më parë kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Presidenti amerikan Donald Trump tha se ata ishin në dijeni se çfarë do të ndodhë dhe se Izraeli do të sulmojë Iranin. Ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio tha se Amerika nuk ka qenë e përfshirë në sulme ndaj Iranit, por pala amerikane bëri të qartë se do t’i dalë në mbrojtje Izraelit në rast të sulmeve nga Irani. Ngjashëm ka reaguar edhe Britania e Madhe, e cila pohon se do të mbrojë Izraelin nga sulmet.
IAEA: Fordo nuk është prekur nga sulmet
Ndërkohë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) bën të ditur se objekti iranian i pasurimit të uraniumit në Fordo nuk është prekur nga sulmet izraelite deri tani. Agjencia me seli në Vjenë bëri të ditur se objekti ndodhet afërsisht 150 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran. Por objekti i dytë i pasurimit të uraniumit iranian në Natans, në veri të metropolit kulturor qendror iranian të Isfahanit, u sulmua. Këtë ka konfirmuar edhe IAEA. Nivelet e rrezatimit atje nuk janë të larta, raporton agjencia ndërkombëtare./ DW
Komente