Policia e Tiranës, sipas njoftimit të saj, lë për të nënkuptuar se rruga “5 Maji” në Tiranë po vëzhgohej prej kohe si një arenë ku qarkullonte droga. Fakti që Policia po priste telefonatën e fundit, dhe aksionin e koduan “Telefonata e fundit”, dëshmon se pritej veç një zile telefoni.

Telefoni ra sot dhe tre veta me një kilogram kokainë ranë në duar të Policisë.

 

Policia e Tiranës, sot mbasdite, ka publikuar zyrtarisht emrat e personave të arrestuar që u kapën me 700 gram kokainë në rrugën ‘5 Maji’ gjatë aksionit “Telefonata e Fundit”. Të arrestuarit janë Sokol Geci 22 vjeç banues në Tiranë, Eraldo Dodaj 19 vjeç banues në Mirditë dhe Pashk Teska 20 vjeç banues në Laç.

 

Ata kishin fshehur drogën në makinën tip Ford që drejtohej nga Eraldo Dodaj.

 

Në momentin e ndalimit  nga policia, Sokol Geci, ka tentuar të përdorë një armë zjarri dhe për pasojë shërbimet policore janë detyruar të bëjnë qitje në ajër për neutralizimin e më pas prangosjen e këtij shtetasi dhe të dy  të tjerëve.

Rruga “5 Maji”, tashmë e njohur si “Tregu i Madh”, ndodhet në veri të qytetit të Tiranës. Emrin “5 Maji” e ka marrë për shkak se aty u rrethua dhe u vra heroi komunist i Rinisë, Qemal Stafa. Heroi i Luftës së Dytë u rrethua në një shtëpi të vetmuar, rrethuar nga arat e mbjella dhe nga pyjet me shkurre. Ndërsa sot kjo është zona më e populluar, për shkak se aty prej 20 vjetësh është vendosur Tregu i Madh, ku tregtarët shesin mallra të ndryshme për gjithë vendin.