KAS nuk ka pranuar të shqyrtojë ankimimet e Foltores dhe PD zyrtare duke e rikthyer kërkesën tek Celibashi. KAS thotë se fakti që Celibashi la 48 orë kohë për Bashën që të firmoste vetë dokumentet e PD nuk është një vendim përfundimtar por i ndërmjetëm dhe si i tillë nuk mori vendim.

Ditën e sotme, KAS është duke analizuar të gjitha kriteret ligjore të të dyja kërkesave se cila nga grupimet përmbush ligjit për t’u regjistruar. Sakaq, ditën e djeshme u caktuan edhe relatorët që do të shqyrtojnë kërkesat e dy grupimeve. Ilir Rusmali do të gjykojë ankimin e Berishës.

Vota e ish ministrit të drejtësisë është përcaktuese për fatin e ish shefit të tij, por edhe të Bashës gjithashtu. Edhe PD-ja zyrtare kërkoi nga KAS që demokratët të regjistrohen vetëm me firmën e Alibeajt, duke e hequr çështjen nga duart e Celibashit i cili kërkoi firmën e Bashës.

Kërkesa e Alibeajt ka për relator Koli Belen. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është një organ kolegjial me 5 anëtarë. Tre janë emëruar nga Partia Socialiste, mes të cilëve një është Ilir Rusmali, ish ministër i PD. Dy të tjerë i takojnë opozitës, sot njëri i pozicionuar pranë Bashës e një pranë Berishës.

Vendimi për ta regjistruar ose jo PD-në pa firmën e Bashës, duhet mbështetur me të paktën 3 vota në KAS.

Njoftimi i KAS:

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesave ankimore të depozituara në KQZ.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 29, të depozituar nga Partia Demokratike, z. Sali Berisha.
KAS konstatoi se ankuesi nuk legjitimohet sepse nuk ka interes të ligjshëm në një çeshtje që i përket një kërkuesi tjeter dhe KAS-i nuk ka kompetence për shqyrtimin e ankesës, pasi KSHZ nuk është shprehur me vendim përfundimtar për kërkesen e ankuesit.

KAS vendosi kalimin për shqyrtim në seancë publike në datën 14.03.2023, në orën 09:00, të kërkesës ankimore nr. 30 depozituar nga Partia ‘Lëvizja Bashkë.

Gjithashtu, KAS vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore nr. 31 të depozituar nga Partia Demokratike, z. Enkelejd Alibeaj.

KAS konstatoi se: “Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës me nr. 1337 Prot., datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”./