Katër prokurori janë në kërkim të ekspertëve të ndërtimit, të cilët duhet t’i bashkëngjiten grupeve që pas tërmetit të 26 nëntorit, po hetojnë për veprat e ndërtimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të detyrës.
Deri më tani prokurorisë së Durrësit i janë bashkangjitur dy specialistë nga instituti i ndërtimit që janë përfshirë në këqyrjet e objekteve përpara se ato të shkatërrohen në formë të telekomanduar.
Por ndërkohë të njëjtën nevojë për ekspertë të posaçëm ka edhe prokuroria e Krujës, e Laçit, Tiranës. Ndërkohë siç mëson Top Channel edhe prokuroria e Kavajës ku janë evidentuar disa ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor i kërkon bashkisë që të vendosë në dispozicion listën e objekteve, tek të cilat do ndërhyhet dhe për të cilat synohet të zhvillohen këqyrjet e vendngjarjeve.
Nga ana tjetër, sipas burimeve shtatë prokurorë në Durrës janë ndarë në dy grupe, njëri prej të cilëve po heton si një të vetme shtatë referimet e shembjes nga tërmeti të shtatë ndërtesave nga rrënojat e të cilave u shkaktuan viktima.
Në një të vetëm janë bashkuar fashikujt e shembjes së ish Vila Palma, Mira Mare, Kavalishensës, Ish-Tropikalit, gjashtë katëshit pranë stadiumit, ndërtesës katër kateshe të familjes Lala dhe godina tek zona e “Dy Gjelave”.
Grupi i dytë po heton listën e më se 70 godinave që do shemben pasi konsiderohen të rrezikshme, ndërkohë të njëjtën procedurë po ndjek edhe prokuroria e Krujës, e cila sikurse kolegët ka urdhëruar sekuestrim në hipotekë dhe prefekturë të dokumenteve, por edhe të procesverbaleve të konstatimit në këto ndërtesa pas tërmetit të datës 21 shtator.
Veritas.com.al/