Çfarë do të bëhet me katet pa leje? Qeveria i ka dhënë përgjigje kësaj pyetjeje nëpërmjet një udhëzimi, ku parashikon t’i shesë ato në ankand publik, ose t’i kalojë në fondin e banesave për strehim social.
Katet pa leje do të shiten në ankand publik. Qeveria ka miratuar udhëzuesin ku parashikon se si do të trajtohen metrat katrorë të ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit, ku procedura e parë është shitja e tyre. Ky aksion i ekzekutivit nisi në shtatorin e shkuar dhe tanimë është konkretizuar se si do të procedohet me to. Konkretisht, e para është nxjerrja në ankand publik, ku sipas udhëzimit, thuhet se shitja do të bëhet sipas vlerës së tregut dhe jo hartës së pronës me të cilën qeveria kryen shpronësimet: “Vlerësimi i objektit bëhet në përputhje me vlerën reale të tregut. Ekspertët vlerësues mbajnë përgjegjësi për vlerësimin e kryer, për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tyre dhe hartojnë raportin përfundimtar të vlerësimit, i cili përmban vlerën minimale të shitjes me ankand”.
Udhëzimi ka parashikuar gjithashtu edhe një rrugë të dytë për katet pa leje, dhënien e tyre për strehim social, akt i cili bëhet vetëm në ato raste kur ky interes prevalon mbi shitjen dhe këtë vlerësim do ta bëjë vetë qeveria: “Institucionet e interesuara për të përdorur objektet e konfiskuara, do të shprehin interesin e tyre pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, për t’i përdorur për nevojat e tyre. Ky institucion, kur e gjen në raport të drejtë me interesin publik, kryen transferimin e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave”.