Astrit Patozi/
(Intervista në VIZION+ )
Gazetari: Partia e re e formuar vetëm pak javë më parë BINDJA DEMOKRATIKE. Ajo do të paraqitet në zgjedhje më 25 kandidatë për kryetarë bashkie, ndër të tjera edhe në Tiranë si dhe me listat për këshilltarë të bashkive në rreth 50 bashki. Kjo paraqitje ishte ndoshta një surprizë por në të njëjtën kohë edhe një telash për Partine Demokratike të Lulzim Bashës i cili nuk e ka fshehur armiqësinë me këtë aksion politik të vrullshem të Astrit Patozit, i cili sonte është me ne në studion e lajmeve. Mirëmbrëma, mirë se keni ardhur.
Astrit Patozi: Mirëmbrëma, mirë se ju gjeta.
Gazetari: Zoti Patozi, pra ju jeni në garë për 25 kryetarë bashkie, për keshilla në rreth 50 bashki.
Astrit Patozi: Në fakt janë 27 dmth po pak rëndësi ka.
Gazetari: Janë 27. Ok, atëherë ky përbën një lajm nëse mund ta themi sot.
Astrit Patozi: Janë 27 sepse i shtohen edhe 2 kandidatë të tjerë. Njëri prej të cilëve është në Finiq, kryetar i Bashkisë aktuale i cili ka kandiduar si i pavarur kundër një kandidati të Partisë Socialiste dhe ne e kemi shpallur që në fillim si parim tonin qe çdo kandidat kundër qeverisë ne e mbeshtesim, nuk e rivalizojmë sepse nuk duam të çajmë votat e opozitarëve. Është edhe një kandidat në Mallakastër, i cili ka kandiduar, ështe kandidati ynë. Por ne si parti e re informacionin e dhamë me vonesë.
Gazetari: Dakord. Kështuqë janë 27 kandidatë dhe 50 diçka më shumë për këshillat bashkiakë.
Astrit Patozi: 54 apo 55 diçka e tillë.
Gazetari: Z. Patozi gjithsesi kjo është një hyrje e vrullshme për disa, për disa të tjerë ndoshta një aventurë. Po per Astrit Patozin cfarë është kjo garë?
Astrit Patozi: Kjo është vizioni ynë që kemi për politikën, vizioni ynë që kemi për Shqipërinë e së nesërmes dhe është një projekt i ri politik i cili nuk ka filluar sot por është kristalizuar sot. Pra është një lëvizje politike qe e kam nisur në vitin 2017, e ashtuquajtura Levizja për Ringritjen e Partisë Demokratike e cila pas dy vjetesh solli këtë rezultat që është BINDJA DEMOKRATIKE.
Gazetari: Ju jeni sot ne këtë stad, ndërkohë që keni në mënyrë konstante kundër Partinë Demokratike, ish partinë tuaj. Dhe po e perifrazoj pak, për Partinë Demokratike, Bindja jote Demokratike është thjesht një opozitë fasadë, si patericë në zgjedhje me synimin për të zhbërë mungesën e opozitës së vërtetë. Pra ju jeni në arenë dhe kjo është betejë. Cila është pergjigjja juaj?
Astrit Patozi: Përgjigjja jonë është që ne, kauza e kësaj force politike është antisistemi. Në njëfare mënyre ne kemi dalë në tregun e ideve kunder partive të mëdha, të cilat sipas nesh mbajnë në këmbë sistemin megjithëse bëjnë sikur duan t´i çjerrin sytë njëra – tjetrës, por kur vjen puna tek sistemi e mbajnë njëra – tjetrën. Pra ne jemi kundër këtij sistemi politik, i cili sipas nesh prodhon përbindësha dhe koha e ka provuar këtë në shumë raste. Ne mendojmë që Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri, pra për një riformatim të sistemit politik dhe kjo është kauza e BINDJES DEMOKRATIKE. Pjesëmarrja jonë në zgjedhje, në këto zgjedhje, me shpejtësi është në njëfare mënyre edhe prova jonë e parë për të treguar që jemi të ndryshëm nga dy kampet që sot janë në armiqësi për vdekje me njëri – tjetrin.
Gazetari: Z. Patozi, ju sot thoni që ky sistem prodhon përbindesha. Por dikush mund t´ju kujtojë juve, Astrit Patozit, që deri dje ju ishit pjesë e këtij sistemi, numri 2 i partisë demokratike. Atëhërë çfarë i thoni ju?
Astrit Patozi: Dhe mirë bëjnë. Unë i them atyre që askush nuk mund t´i kërkojë dikujt që të bëjë njëkohësisht edhe pushtetin edhe opozitën. Sa kohë kam qenë në Partinë Demokratike sigurisht kam patur përgjegjësitë e mia për aq sa kisha rol. Ka pasur të tjerë që kanë pasur edhe më tepër. Unë jam nga ata njerëz që i kam marrë përgjegjësitë e mia dhe i kam shprehur përgjegjësite e mia. Në qoftë se të tjerët nuk e kanë bërë nuk është problemi im. Pra Partia Demokratike ka pasur defektet e veta, ka pasur përgjegjësitë e veta për këtë sistem. Ka qënë bashkëautore në njëfarë mënyre me Partinë Socialiste, pra ka qenë një marrëveshje, sipas meje e gabuar, per ta çuar sistemin në kryetarokraci. Dhe kjo solli këtë deformim shumë të madh që në po atakojme sot. Pra unë i kam marrë këto përgjegjësi, kam që në vitin 2013 që e shpreh këtë qartazi në parlament, në çdo debat publik, në facebook, në rrjetet sociale e kështu me radhë. Pra unë e ndjej këtë përgjegjësi dhe mendoj që nuk është çështje personale, kjo është një çështje që është nevojë e shoqërisë. Nuk është puna se kam reflektuar unë. Shoqëria nuk e do më këtë sistem dhe unë për këtë jam i bindur, demokratikisht.
Gazetari: Fushata zgjedhore në të cilën ju keni hyrë tashmë kerkon fonde. Si parti e re me ligj ju nuk përfitoni fonde nga ajo që shpërndan shteti, nga torta e destinuar për partitë politike. Pra cilat janë burimet financiare të BINDJES DEMOKRATIKE?
Astrit Patozi: Çfarë burimesh financiare mund të kemi ne? Në qoftë se ju mendoni se idete kanë nevojë për para apo për burime financiare. Ne tani jemi vetëm ide, pra ne jemi një projekt i përuruar nga disa vullnete të bashkuara njerëzish që kanë një vizion të ri dhe një projekt të ri politik për Shqipërinë. Dhe ne këtë kemi bërë, kemi afishuar. Do blejmë një fushatë dhe do bëjmë një fushatë modeste në këtë rast me burimet me të limituara që mund të ketë një forcë politike e re. Por ne shpresojme te rezultati sepse ne mendojmë që nuk e bën diferencën. Se po të jetë për çështje financiare, qeveria fiton gjithmonë me opozitën por nuk ndodh kështu. Sepse vjen një çast që paratë nuk të përgjgjen më dhe unë mund të marr një shembull sportiv. Ajaksi i Amsterdamit me 50 milion euro buxhet që mundi Juventusin me 1 miliard e 700 milion euro buxhet, ja ky është rasti.
Gazetari: Z. Patozi ju faleminderit qe ishit sot në studion e lajmeve me ne.
Astrit Patozi: Ju faleminderit.