Komisioni Evropian pritet të rekomandojë nesër hapjen e negociatave për Shqipërinë. Mediat gjermane shkruajnë se sipas një kopje të raportit, KE ka vlerësuar pozitivisht punën e vendeve të Ballkanit dhe do të përkrahë zgjerimin e BE-së duke rekomanduar hapjen e negociatave dhe për Maqedoninë.
Për Serbinë dhe Malin e Zi, që prej disa vitesh kanë hapur negociatat, raporti nuk parashikon datë të saktë për anëtarësimin në BE.
Raporti, pavarësisht mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, thekson se korrupsioni, krimi i organizuar, demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe konfliktet mes vendeve janë ende çështje të pazgjidhura nga qeveritë e BP-së.
Nëse raporti i 17 prillit rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë, kjo do të ishte hera e dytë që KE bën të njëjtin rekomandim.
Dy vite më parë, në 2016-ën, progres-raporti ku KE rekomandonte nisjen e negociatave pas plotësimit të pesë prioriteteve kyçe, -reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut,- u miratua në Parlamentin Evropian pas disa muajsh, dhe me shumë ndryshime nga raporti fillestar. Megjithatë, në maj raporti nuk u miratua zyrtarisht nga Këshilli i Evropës, pasi Austria vuri veton.
Për bërjen publike të progres-raportit, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn do të vizitojnë nesër Tiranën.
Veritas.com.al/