Ish presidenti Ilir Meta do të paraqitet të enjten në orën 10, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Meta do të dëshmojë për çështjen e 21 janarit.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ka kërkuar SPAK-ut ta thërrasë për të dëshmuar për “21 janarin”. Partia e Lirisë njofton se Meta i ka kërkuar avokatit të tij t’i çojë kërkesën prokurorit të dosjes, Alfred Shehu, për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011.
Në fakt, Ilir Meta ishte “molla e sherrit” të 21 janarit. Për shkak të një videopërgjimi të tij si zv.kryeministër me ish-bashkëpunëtorin Dritan Prifti, për një ryshfet 700 mijë euro, në kohën kur bashkëqeveriste me “doktorin” në qeverinë Berisha 2, Partia Socialiste, asokohe në opozitë, thirri protestën e 21 janarit kundër kryeministrit Sali Berisha.
Pasi e quajti Ramën “fundërrinë” dhe protestuesit “kokëpalarë”, Meta mbajti një traditë: çdo 21 janar jo vetëm heshtte, por largohej jashtë vendit.
Por, herën e fundit kur Meta në liri komentoi këtë çështje, në vitin 2024, ai nuk fajësoi Sali Berishën për vrasjet, por Lulzim Bashën.
Komente