TIRANË- Me 50 vota pro, socialistët dhe demokratët miratuan propozimin për shkarkimin e Erjon Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë se Tiranës, pozicion të cilin e mban që prej vitit 2015.

Me propozim të socialistëve, tre kërkesat e depozituara për shkarkimin e tij u bashkuan, duke u votuar si një akt i vetëm.

Joleza Koka, Gazment Paja, Alfred Muharremi dhe Aldo Merkoci nga radhët e socialistëve nuk morën pjesë në votim, ndërsa në seanca nuk votuan as 5 këshilltarë nga opozita.

Ndërsa dy janë vakanca, Romina Kuka dhe Tedi Blushi, të cilët tashmë janë në parlament.

Në emër të Këshilltarëve të Majtë, Megi Fino tha se procedura për lirimin e Veliajt nga detyra është marrë pasi Tirana nuk mund të vijojë të drejtohet pa kryetar dhe kjo nuk do të thotë një gjyq për Veliajn.

Ndërsa në emër të opozitës, Ilir Alimehmeti, e cilësoi të vonuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Ky vendim i Këshillit Bashkiak do t’i dërgohet prefekti të Tiranës, i cili do të vendosë në lëvizje qeverinë për lirimin e Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

Akt i cili i hap edhe rrugën zgjedhjeve të parakohshme, ku socialistët do të tentojnë të marrin për herë të katërt Tiranën me Ogerta Manastirliun.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *