Zhvillime nga Këshilli Politik, ndërsa Rudina Hajdari ka dalë më herët nga mbledhja.
Gjiknuri i ka kërkuar Bylykbashit dhe Vasilit që të sjellin propozime për çështjen e pragut kombëtar zgjedhor, afateve të regjistrimit të listave unike nga aleancat zgjedhore dhe modalitetet e votës preferenciale për kandidatet në kushtet e listave të hapura por duke respektuar kuotën gjinore.
Ndërkohë burimet thonë se opozita joparlamentare ka këmbëngulur në kushtet e saj.
1.Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk përfshihet në asnjë proces që cënon Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe rihap diskutimet nga e para për çështje që janë dakordësuar mes palëve dhe që tashmë janë LIGJ.
2.Rikonfirmojmë se jemi dakord me hapjen 100 % të listave të kandidatëve dhe për këtë çështje jemi të gatshëm të vijojmë punën në Këshillin Politik, me përgjegjshmëri maksimale.
3. Hapja e listave nuk ka asnjë lidhje kushtetutese, ligjore apo praktike, me formulën ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe ndarjen e zonave zgjedhore.
4. Për Opozitën e Bashkuar rregullat e garës elektorale mes palëve nuk mund të ndryshohen 5 muaj përpara datës së regjistrimit në zgjedhje dhe qëndrueshmëria e ligjit është esenciale për cilësinë e zgjedhjeve, sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe të OSBE-ODIHR.
Gjiknuri pas mbledhjes: Opozita do të zvarrisë implementimin e ndryshimeve Kushtetuese. Më 30 shtator çështja të mbyllet
Ndërsa ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik, përfaqësuesi i mazhorancës Damian GJiknuri tha për mediat se opozita po synon që ndryshimet kushtetuese të mos implementohen në Kodin Zgjedhor.
”Tashmë dua ti bëj me dije publikut, pas një debati të gjatë, fatkeqësisht PD dhe Opozita qëndroi me të njëjtat pozicione sikur s’ka ndodhur asgjë. Kushtetuta është ndryshuar, dhe u kthyen tek i njëjti debat tek koalicionet që është ezauruar.
Janë ezauruar në Këshillin Politik. Ne si formulim mund të marrim një model të vendeve të OSBE. I thamë opozitës, deri të enjten të sjellin propozimet në lidhje me formulimet për pragun zgjedhor, afatet etj, që PD është e hapur t’i sjellë.
Qëllimi i tyre është ta vonojnë këtë proces. Synojnë që ndryshimet kushtetuese mos implementohen. Me konsulta dhe zvarritje, dhe shkojmë në limite që s’mund t’i bëjmë. Kërkova që brenda 30 shtatorit çështja të mbyllet përfundimisht.
Sa i përket kërkesës që t’i drejtohemi ODIHR. Fatkeqësisht, kur e thirrëm për rekomandime nuk e morëm parasysh. ODIHR i shkohet me drafte kur s’ka dakordësi. Nëse kemi dispozita që s’biem dakord i drejtohemi. ODIHR s’jep opinione.
Nëse draftet e PD dhe të PS ka diferenca, atëhere i drejtohemi. Gjithmonë bëhen konsultime mbas Kodit Zgjedhor. Drafti, le të sjellind draftet, ku s’ka dakordësi i drejtohemi ODIHR. Jo t’i çojmë idetë tona. Të na thonë ata janë ndryshimet kushtetuese ose jo.
Kuvendi i ka votat, prandaj Komisioni i Ligjeve ngriti grupin e punës. Do reflektojmë edhe shqetësimet e opozitës. Si kuotat gjinore, apo dhe të tjera që ruajnë integritetin e Listave të Hapura, dhe pragu zgjedhor.”- tha Gjiknuri.