Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuçia, ka folur sërish për situatën në veri të Kosovës. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane kryeministri Albin Kurti ka vepruar njëanshëm me vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në tri komunat në veri.

“Vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të panjohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, ka thënë ai për gazetën italiane “Corriere Della Sera”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se nuk mund të pretendojmë se kjo është një situatë normale.

“Këto janë vendime të marra pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një qasje që sigurisht nuk nxit besimin e ndërsjellë. Ne gjithmonë duhet të vlerësojmë pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh”, tha komandanti i KFOR-it.

Sipas Ristuçia Kosova në veri pa misionin e NATO-s, do të ishte “një tjetër vatër lufte”.

“Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës. Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato”, u shpreh ai.

Në intervistën e tij më tej ai ka thënë se situata në veri është si pasojë e sjelljes së të dy palëve.

“Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare. Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale ndaj objektivave të paqes që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë në Kosovë “, u shpreh ai.