Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter ka drejtuar disa pyetje për kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, që janë në garë për zgjedhjet e 6 marsit.

“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsorizuesi kryesor i juaj është dikush i shpallur “non- grata” për korrupsion domethënës, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do të jenë pronarët juaj nëse fitoni dhe çfarë detyrimi do të keni kundrejt tyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkroi Kim në Twitter.

Më 19 maj, ka qenë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili njoftoi për shpalljen e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës u cilësua si non grata nga Sekretari Blinken.

Në një postim në Twitter, Blinken-i shpërndau lajmin.

“Po e adresoj zyrtarisht Sali Berishën dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për t’u futur brenda SHBA-ve. Mbetemi të bashkuar në luftën kundër krimit të organizuar me partnerët tanë shqiptarë”.

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, të mërkurën e 9 shkurtit, dërgoi emrat e kandidatëve të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që do të garojnë në zgjedhjet lokale, të 6 marsit.

Edhe pse KQZ nuk e regjistroi nismën e Sali Berishës në zgjedhjet e 6 marsit- pasi logot dhe simboli me të cilët përfaqësohet, i përkasin Partisë Demokratike (PD)- kandidatët e Komisionit të Rithemelimit do të kandidojnë si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

/