Kina ka njoftuar sanksione kundër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, D-Kaliforni, dhe familjes së saj, pas vizitës  në Tajvan, të cilën Kina e dënoi ashpër.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës njoftoi sanksionet të premten, duke e quajtur vizitën e Pelosit në Tajvan një “provokim skandaloz” dhe një “ndërhyrje të rëndë” në punët e brendshme të vendit.

“Duke shpërfillur shqetësimet e rënda të Kinës dhe kundërshtimin e fortë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi këmbënguli për të vizituar rajonin e Tajvanit të Kinës. Kjo përbën një ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kinës,” tha zëdhënësi. “Dëmton rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, shkel seriozisht parimin e ‘Një Kine’ dhe kërcënon rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”.
“Në përgjigje të provokimit skandaloz të Pelosit, Kina vendos të miratojë sanksione ndaj saj dhe anëtarëve të familjes së ngushtë, në përputhje me ligjet përkatëse të Republikës Popullore të Kinës”, shtuan ata.
Deklarata u nda gjithashtu nga CCTV News, një media shtetërore, dhe në platformën e mediave sociale të Kinës Weibo.