Aktakuzat ndaj një pjese të kupolës drejtuese të UÇK-s, riaktivizuan, pretendimin e ekzistencës së burgjeve të kësaj ushtrie në territorin shqiptarë.
Është Taulant Balla numri një i grupit parlamentar socialist ai i cili ka ndërmarrë iniciativën e ngritjes të një komisioni të posaçëm parlamentar.
Burimet nga kuvendi deklarojnë se zoti Balla ka nisur sot mbledhjen e firmave të nevojshme për të ngritjen e këtij komisioni.
Nga informacionet e deritanishme që disponon Top Channel mësohet se objekt hetimi do të jenë të gjitha pretendimet për ekzistencën në veri të Shqipërisë të burgjeve të UÇK.
Po ashtu objekt hetimi do të jetë edhe ajo çfarë është pretenduar nga Dick Marti për Shtëpinë e Verdhë, akuza që nuk u vërtetuan asnjëherë, përfshi të gjithë ata persona që dhanë kontributin e tyre për të ligjëruar pretendimet e senatorit zviceran.
Kjo iniciativë e Taulant Ballës vjen në vazhdën e qëndrimeve publike nga ku ai, ka kërkuar shpjegime nga Lulzim Basha se çfarë kontributi ka dhënë në hartimin e dosjeve kundra luftëtarëve të UÇK.
“Lulezim Basha i detyrohet një përgjigje shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, ku duhet të sqarojë rolin e tij tepër të dyshimtë e tinzar në lidhje me hetimin e luftës së UÇK si dhe në lidhje me të ashtuquajturat “burgjet e UÇK” në Shqipëri. Jam i bindur që këtë detyrim nuk do ta bëjë, por të paktën tu kthejë përgjigje demokratëve, të cilët duhet të dinë rolin e Kryetarit të tyre de jure në këtë maskaradë anti-kombëtare, ku viktimat e gjenocidit serb po trajtohen si kriminelë, e ku lufta çlirimtare po akuzohet për krime lufte” shkruante sot në Facebook Taulant Balla.
“Lulëzim Basha,- thekson Taulant Balla, – rezulton të ketë futur në Shqipëri fshehurazi si turist ekspertin e OKB dhe duhet të shërbejë si dëshmitar i penduar kundër shpifjeve e trillimeve ndaj luftës së UÇK.”
Top Channel ka intervistuar në vitin 2010 ekspertin e OKB Jose-Pablo Baraybar, i cili tregonte se në Shqipëri kishte hyrë si turist dhe në Kukës kur kërkonte për burgjet e UÇK -s kishte shkuar së bashku me Lulzim Bashën.
VERITAS.COM.AL