Burime konfidenciale nga organet e hetimit thonë se priten ndalimi i ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Prokuroria e Durrësit, e cila po heton prej ditësh dhe që ka mbledhur materiale e dokumenta nga hipotekat, bankat, KPK , ILKPDI dhe institucione të tjera po bën gati urdhërin e ndalimit të ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla. Arrestimin e tij e paralajmëroi dje edhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili theksoi se Llalla është i korruptuar dhe pritet të ndalohet.

Ndërsa për ndalimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri nga ana e prokurorisë së Krimeve të Rënda çështja duket më e komplikuar, pasi PS dhe kryeministri Rama nuk e duan për shumë kohë në burg. Pra duket se ka një “marrëveshje burgu” që të futet për disa javë sa të merret statusi i Shqipërisë në Samitin e BE në muajin maj dhe më pas, me anë të gjykatës, ish-ministri të lirohet nga burgu.

Ndërkohë mësohet se policia e shtetit ka marrë masat dhe po ruan me kujdes çdo lëvizje të Saimir Tahirit, kurse për ish-prokurorin e përgjithshëm, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, ka siguruar të dhënat e nevojshme me anë të Interpolit se ku ndodhet.

Veritas.com.al/