Editorial i gazetës ‘KJ’

Fill pas sulmit ndaj ministrit të brendshëm, sot në mesditë prokurorja e përgjithshme, e përkohshme, ka shkarkuar drejtuesin e prokurorisë së krimeve të rënda Besim Hajdarmataj, duke e lenë prokuror të thjeshtë. Ky drejtues po hetonte ish-ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri dhe në tre ditët e fundit po përgatitej arrestimi i Tahirit, tregojnë burime konfidenciale. Papritur sot i vjen mandata e shkarkimit, pikërisht prokurorit si drejtues, duke i marrë vulën, zyrën dhe hetimet e tjera. Prokuroria thotë se e bëri këtë lëvizje për “energji të reja”.

Po sot, paradite selia blu sulmoi hapur dhe egër ministrin e brendshëm. Publikimi këtë të mërkurë nga PD-ja të një dosje për vëllain e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, ka shkaktuar jo pak tronditje, sidomos brenda maxhorancës, pasi të gjithë e dinë se kjo dosje i është dorëzuar selisë blu nga njerëzit e Sajmir Tahirit për të goditur Fatmir Xhafaj dhe paralajmëruar politikanët e tjerë se “prisni se nuk keni parë gjë akoma”. Ka dyshime se dosja ka marrë një bekim të pashkruar edhe nga lobe brenda PS-së të cilët janë prekur nga reformat e ministrit të brendshëm, i cili në pak muaj goditi grupet kriminale dhe filloi spastrimin e kupolës së policisë së shtetit si dhe gjithë piramidës së kësaj policie. Natyrisht që ministri ka prekur nervat e linjave të vjetra të drogës, kokainës dhe rrjeteve të bandave të organizuara, të cilët janë grupuar kundër ministrit të brendshëm.

Reagimi i gjithë kësaj trupe kriminale, ku futen banda të krimit të organizuar,  politika që financohet prej tyre në këmbim të favore shtetërore ndaj tyre, korrupsioni direkt dhe pasiv, rrjete rajonale destabilizuese, etj; e gjithë kjo krijesë e frikshme mafioze nuk mund të pranonte heshtjen. Reagoi dhe sulmoi ministrin.

Ndërkohë ligji duhet të zbatohet, për cilindo, qoftë vëllai i ministrit apo i kryeministrit apo Presidentit. Por ka informacione se dosje të tjera kanë kaluar nga Kodra e Diellit, ku ka shtëpinë Sajmir Tahiri, tek njerëzit e PD-së dhe direkt në zyrën e Bashës. Fill pas daljes paradite nga PD-së të kësaj dosje, alarmi ka pushtuar qeverinë, PS-në dhe Kryeministrinë. Druhen se çfarë dosjesh të tjera ka ish-ministri. Me sa duket goditja i ish-ministrit për ministrin, shkonte deri te zyra e Ramës.

Kujdes!-duhet të ishte përkthimi i presionit të ish-ministrit- Akoma nuk keni parë gjë akoma!

Ndaj sot, flasin burimet nga prokuroria e krimeve të rënda, ishte duke u hartuar fletë arresti për ish-ministrin Tahiri. Por menjëherë kryeprokurorja nisi për të zyra e krimeve të rënda një tjetër drejtues prokurorie. U shkarkua prokurori që po merrej prej muajsh me Sajmir Tahirin, si me thënë u shkarkua ‘Antonio Di Pietro’ i Mani Pulitës që po gjykonte “Tangentopolin”.

Në fund të fundit ish-ministri me sulmin ndaj ministrit futi frikën në kryeministri nga mendohet se doli vendimi se duhet shkarkuar prokurori i krimeve të rënda që po firmoste fletë arrestin.

Tashmë duket qetësi momentale në maxhorancë, ndonëse nuk mund të  jenë të pa vëmendshëm prej atyre që ministri  i brendshëm ka mbi tavolinë dhe po hetohen nga Ardi Veliu.

Përballja ka filluar, jo vetëm përballë kampeve politike, por edhe brenda maxhorancës.

Veritas.com.al/