Frrok Çupi/
Nuk po them për orën historike të shekullit 15, krijuar prej Peter Hele, nga ku nisi matja e kohës prej njeriut modern. Tani në politikën tonë kemi një “orë”, domethënë një moment, që do të mbetet po aq arkeologjik sa edhe ‘Hele’.
Ora e tanishme ka konfirmuar se e Majta është instaluar në pushtet për një kohë të gjatë.
Me sa duket, do të kalojnë kohë e duke u kthyer pas do të ‘pastrohet’ ky moment kur u formësua ajo që do të jetojë për të ardhmen- ku ta dish sa të gjatë. “Ora” arkeologjike politike është kjo: E majta në qeveri, ndërsa e emërtuara si ‘e djathtë’- ndihmëse në qeveri…. Koncepti ‘arkeologjik’ për këtë orë ka lidhje edhe me faktin se ky do të jetë model i vetëm në gjithë hapësirat tona gjeopolitike rreth Europës. Këtu po eksperimentohet një shtet “me qeveri, por pa opozitë!”. Kjo epokë ka ‘ngrirë’, jo një kryetar.
1.
Do të qeverisë e Majta. Partia Socialiste ka ngurtësuar kësaj here piramidën e numrit absolut në Parlament. Ky numër mund të mos bjerë edhe në vite që vijnë, ashtu siç nuk shkërmoqet piramida pasi bën hije mbi dhê. Me sa duket, ‘misteri’ majtist i qeverisjes ka krijuar rrethanat për të jetuar si qeveri e patrazuar. Njëra pjesë të Majtës sapo është shpërblyer me titullin e presidentit të Republikës, duke e vënë në muze betimin e saj për opozitë. LSI, me gjithë deklaratat ‘fake’ për një opozitë të fortë, opozitën nuk e ka as si ide, as si qëllim dhe as si shans. Si qëllim nuk mund ta ketë, sepse tashmë dihet se duke qenë ‘lart’ pse do të zbresë ‘poshtë’, dmth., duke gëzuar të mira ‘blloku’ pse do të shkosh në ‘Breg Lumi’. Ndërsa si shans- jo e jo! Sikur të mendohet sado pak se po krijohen ‘trazira opozitare’ në Shqipëri, dikush nga Europa do të zbarkojë dhe do të takojë presidentin e Republikës: “Ndali ata të tutë…” do t’i thonë… Kjo do të jetë për gjysmën më të vogël të të majtës.
2.
Opozitën e ‘djathtë’ (PD), e ka lidhur e majta në qeverisje. Në tre ‘vende’ e ka lidhur:
a) Lidhja pas një marrëveshjeje të dyshimtë të 18 Majit mes dy krerëve Rama dhe Basha. Le të mos mendojmë se kushedi çfarë ka ndodhur aty, ndonjë Detantë e fuqishme! Jo, aty është thënë: “Unë e ti do të jemi në pushtet… Lëre Ilirin, lëre Saliun, lëre Xhozin”. Ka pasur edhe disa shpërblime të ‘vogla’ që lidhen me jetën.
b) Lidhja me Kuvendin. Si opozita PD ashtu edhe qeveria PS, kanë bezdi nga disa opozitarë ‘idiotë’ që flasin për parime, për interesa ‘të popullit’, për idealizma. PD, në takimin e 18 majit u pajtua me kryeministrin socialist që kërkoi “PD të qetë, jo vetëm për mua, por edhe për ty, zoti Basha”. Basha e pranoi dhe shkaktoi traumë brenda PD. Por në qeveri kjo masë do të krijojë ‘relax’ katërvjeçar ose tetë vjeçar. Qeveria ka nisur të punojë e patrazuar, pa opozitë nga opozita dhe pa kundërshtarë brenda saj (kundërshtarë ‘për të qenë’) në Kuvend. Tipi “Balla” do të bëhet ikonë për Parlamentarizmin e “orës arkeologjike”.
c). Lidhja e tretë: Kjo që njerëzit akoma nuk po e ‘gëlltisin’ dhe që ka të bëjë me perandorinë ‘Soros’. Soros po trazon Amerikën dhe Europën, duke pasur garanci se në Shqipëri (sidomos) është shtruar këmbëkryq dhe që këtej mbron klasën liberale majtiste. PD- opozitë, është e zhytur në shkollën e Soros, duke nisur që nga kryetari. Shumica e deputetëve anonim të PD, janë krijesa të Soros. Doktrina Trump dhe Brexit dhe gjithë konservatorizmi perëndimor, janë tradhtuar edhe nga PD e quajtur ‘opozitë e djathtë’. Kjo e shton shumë jetën e të Majtës në qeverisje.
3.
Fillesa e një fosili që do të quhet opozitë. Kjo nis nesër. Kryetari i PD ka njoftuar se nesër, ora 11.00, thërret në takim deputetët e rinj, për të bërë planin për ‘luftën opozitare”. Armët e para të Opozitës janë me ujë. Në takimin e nesërm me shtabin e luftës, do të flitet se si do të luftohet ‘për çmimin e ujit’ në protestën e ardhshme. A mund të imagjinoni një protestë ‘për pesë lek të ujit’, kur shumë njerëz ankohen ‘për bukën e gojës’?. Një popull- banor i një vendi me ujëra pa fund, siç është Shqipëria, nuk mund përfillë thirrjet për protestë ‘uji’.Taktika e ofertës për atë që ekziston me shumicë, është zgjedhur nga PD si taktikë ‘opozitarizmi’, por në fakt me qëllim që të hyjë në ujë opozitarizmi. A nuk e kujtoni thirrjen për “Republikë” në mes të Çadrës dhe pas saj? Ne kemi Republikë, pse ofrohet një “Republikë” më shumë?… Njerëzit nuk dëgjuan kotësinë dhe nuk votuan 200 mijë PD-istë.
A është e shqetësuar PD pse qytetarët nuk e pranojnë opozicionin? Ca njerëz thonë se këta të Opozitës ‘nuk dinë çfarë bëjnë’. Jo. Kjo ndodh ngaqë ata e dinë çfarë bëjnë…
Kur të vijë koha që e majta të ndërrojë poltronin e pushtetit, atëherë kjo ‘ora’ jonë aktuale do të jetë bërë për në Arkeologji. Koha jonë kur u ringjiz e Majta “e patrazuar” në pushtet do të duket shumë e hershme.. Kështu janë ndërtuar akrepat e kësaj Ore.
Veritas.com.al/