Deputetja e PD, Jozefina Topalli, tha se e sheh ish-kryeministrin Sali Berisha të shqetësuar në deklaratën e tij të sotme gjatë votimit për kryesinë e Partisë Demokratike, ku kandidojnë Lulzim Basha dhe Eduart Selami.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në Neës24, Topalli tha se i vetmi që ka vënë maskë dhe që s’ka asnjë ndjesi njerëzi është kryetari i PD, Lulzim Basha.

“Unë e shoh të shqetësuar zotin Berisha, ai shprehte shqetësim në deklaratën e tij. Ata që e kanë drejtuar partinë, që e kanë ringritur nga hiri kur është rrëzuar, por dhe çdo demokrat që ka besuar, e dinë ç’do të thotë se si përfundoi parti në këtë katastrofë. I vetmi njeri që ka një maskë, dhe nuk ka asnjë ndjesi njerëzore, është z. Basha. Si nuk arriti në 4 vite të bënte zgjedhjet në PD,” tha Topalli.

Ajo gjithashtu krahason me kohën kur Berisha dha dorëheqjen 4 vitë më parë me 230 mijë vota më shumë pas dy mandatesh qeverisjeje.

“Kur kishte 230 mijë vota më shumë se Basha pas 2 mandatesh qeverisjeje. Nuk është çështje e një dispozite të një statusi, se ato që supozohen të jenë kryetarë partish, pritet të jenë njerëz të përgjegjshëm e seriozë, dhe jo të çosh partinë në 30% vota më pak. Por kur ndodh që pas një katastrofe ku çoi partinë, e thotë që s’jap dorëheqjen, ky është alarm, se mban peng një parti, që po kthehet nga Basha në një biznes familjar. Ai gërryu të gjithë moralin, standartin e PD. Është krizë ekzistenciale. Situatë dramatike, sikur mos të mjaftonte humbja, tani kemi dhe situatënse si trajtohet humbja. Berisha me 230 mijë vota më shumë dha dorëheqjen pas 2 mandatesh, Basha në opozitë, me -230 mijë vota nuk jep dorëheqjen,” tha Topalli.

Veritas.com.al/