Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur në rend dite për mbledhjen e të premtes diskutimin mbi gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka, raporton A2 CNN.

Pika e 7-të në rendin e ditës: Shqyrtimi i relacionit “Për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares znj. {…}, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Diskutimi për verifikimin e statusit të gjyqtares Gjoka nuk ishte parashikuar për mbledhjen e sotme, por është shtuar si pikë në rendin e ditës pak para nisjes së mbledhjes.

Një javë më parë, Gjoka, në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor parashtronte argumentet kundër verifikimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas së cilës, vendimi i gjykatës greke në vitin 2005 për të është autentik. Ajo insiston se nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.

Rrëfimin e saj për këtë përplasje, Gjoka e nis që nga viti 2002, ku asaj i është refuzuar hyrja në territorin grek për dy herë radhazi, për ta kaluar më pas në procesin gjyqësor në Janinë në vitin 2005, shkruan A2CNN.

“Nuk jam njoftuar asnjëherë për procesin hetimor të zhvilluar ndaj meje. Nuk më është njoftuar akuza, nuk jam marrë kurrë në pyetje as në prokurori, as në polici, nuk jam njohur me përfundimin e hetimit apo me kërkesën për gjykim dhe me asnjë akt apo vendim tjetër të kryer gjatë procesit hetimor ndaj meje”, lexohet në letrën e Gjokës.

Për të vijuar me arsyetimin, në letrën për KLGJ, gjyqtarja saktëson se pak ditë pas vendimit të Gjykatës në Janinë, hyrja në fuqi e një ligji tjetër në Greqi bëri që ai të mos ekzekutohej dhe të arkivohej, duke mos përfunduar në ndonjë gjykatë tjetër të shkallës më të lartë dhe duke mos marrë kurrë formë të prerë. Gjithashtu, referuar një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për një rast të ngjashëm, Gjoka vlerëson se arkivimi konsiderohet i barasvlefshëm me shfajësimin.

Për të zhbërë akuzat ndaj saj, se fshehu dënimin nga gjykata greke në formularin e dekriminalizimit, Gjoka sqaron: “Vendimi i dënimit i Gjykatës se Shkallës së Parë Janinë, i cili nuk ka marrë formë të prerë, nuk ka asnjë vlerë juridike dhe nuk përben. pengesë për ushtrimin e funksionit tim si gjyqtare. Fakti i hetimit dhe gjykimit nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë nuk është shënuar nga ana ime në formularin e dekriminalizimit, për shkak se tej çdo dyshimi të arsyeshëm provohet se nuk kam pasur dijeni në tërësi për procesin”.

Verifikimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka që ka mbajtur edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku nisën më 8 maj 2024, me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas denoncimeve publike të ish-kryeministrit Sali Berisha. Shkresa e prokurorisë dhe materialet shoqëruese i janë vendosur në dispozicion Komisionit për Zhvillimin e Karrierës në KLGJ. (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *