Kuvendi sot do të votojë ndryshimet kushtetuese të reflektuara në Kodin Zgjedhor, me të cilat do të shkohet në zgjedhjet e 25 prillit.

Seanca e sotme plenare ka nisur me një fjalim nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ka bërë një përmbledhje të gjitha zhvillimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas tij, këto ndryshime reflektojnë të gjitha pritshmëritë e qytetarëve, teksa shtoi se nuk priste që të kishte konsenus të përgjithshëm.

“Kjo seancë është stacioni i fundit i një rrugëtimi të gjatë, që nisi me ngritjen e Komisonit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në  fillim të kësaj legjislature.

Miratimi sot i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe i institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri. Me këto ndryshime, Kuvendi iu afrua maksimalisht, natyrisht aq sa e kishte të mundur, alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit e infrastrukturës zgjedhore që u shërbejnë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryesorja është se plotësuam pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore që nuk deformojnë e anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre. Standartet perëndimore mbi të cilat mbështetet legjislacioni dhe institucionet e zgjedhjeve që po miratojmë sot, janë të përcaktuara nga rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut Gjerman, dy udhë hartat kryesore nga të cilat udhëhiqet Kuvendi, si garantues i legjitimitetit dhe kontrollit politik e ligjor të  rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Gjatë seancës plenare që po mbahet për votimin e Kodit të ri Zgjedhor ka folur edhe përfaqësuesi i Partisë Socialistë në Këshilli Politik, Gjiknuri.

Në fjalën e tij, Gjiknuri është shprehur se sot është akti final për arritjen e një objektivi të madh historik.

Deputeti i mazhorancës theksoi e kemi dëgjuar edhe opozitën, por ata nxorën modele që nuk ekzistojnë.

“Ky është akti final që bën të mundur jetësimin e dispozitave kushtetuese. Arritëm një objektiv të madh historik, falë edhe presionit të faktorëve parlamentarë, për hapjen e listave. Që përveç partisë të votojë dhe kandidatin.

Është arritje e madhe, revolucion i madh i ndikuar nga ndryshimet kushtetuese. Hapja sjell dhe rreshtimin e subjekteve zgjedhore, e kam fjalën për koalicionet. Hapëm listat, por mbyllëm koalicionet me mënyrën e vjetër.

 

Dua të them që të gjitha këto ndryshime e bëjnë shumë më demokrat. Sfidat janë të mëdha. Ky është hapi i parë që do vijojë në vitet që vijojnë.”- tha Gjiknuri.

VERITAS.COM.AL/