Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim elektoral në Kolonjë, ku ka prezantuar kandidatin e PS për këtë bashki, Erion Isain.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se kjo është hera e fundit që ai shkon në Kolonjë dhe rruga nuk ka përfunduar.

Aksi rrugor Kolonjë – Korçë, do t’i afrojë bashkitë në 20 minuta, nga më shumë se një orë që ishte më parë.

Rama tha po ashtu se Kolonja, është një bashkitë, kur projekti për ujin e pijshëm ka përfunduar 100%.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Me vjen mirë, kjo është hera e fundit që unë vij këtu dhe rruga nuk është e përfunduar, sepse besoj që brenda verës, ne të rikthehemi dhe të bëjmë gjithë rrugën nga Pazari i Korçës në sheshin e Kolonjës për 20 minuta.

E dini shumë mirë se çfarë torture ishte rruga. Kjo vepër që po ndërtohet është komplekse, kjo është arsyeja se pse ka marrë edhe më shumë kohë.

Qëllimi ka qenë, që rruga të bëhet, por të krijohen kushtet që natyre të ripërtërihet në të dyja anët e saj.

Në këtë fushatë për herë të parë ne nuk po flasim për premtime për ujin e pijshëm, sepse ujin e kemi çuar në çezmat e banorëve të vendit edhe më shumë se para se të vinte periudha e rrumpallës.

Kemi akoma për të bërë për ujin e pijshëm, se ka ende pika të ndryshme që kanë nevojë për shërbim, që ta marrin të plotë, ama kudo uji i pijshëm po shkon.

Këtu në Kolonjë uji i pijshëm është 100% i realizuar. Kjo plagë e ka qenë e tmerrshme këtu.

Kolonja është një pasqyrë kuptimplotë, që ata që kanë akoma dyshime, të shohin se di ndryshon jeta e një komuniteti edhe kur ai  duket si i dënuar nga gjeografia, për të keq, për shkak të infrastrukturës.

Ja ku jemi sot. Çka kemi bërë është baza e një zhvillimi që kemi nisur. Jam besimplotë se ne kemi shumë akoma për të bërë, por e dimi se çfarë duhet të bëjmë dhe si ta bëjmë. Ata njerëz nuk dinë asgjë nga këto.

Janë lëshuar nëpër Shqipëri, me disa personazhe që janë për ardhur keq, për të marr peng ndonjë bashki. Për të marrë lekët e qytetarëve, për të nisur ca autobuzë, për të bërë sherr e luftë me qeverinë.

Ata sa më shumë vijnë pas meje me dy gishta, “ik ik ik “, aq më shumë ikin në drejtim të paditur sepse humbasin rrugën.