Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dalë me një komunikatë të përbashkët pas apelit të Trump-it për ashpërsim të marrëveshjes ndërkombëtare ndaj Iranit për çeshtjen bërthamore.

Të premten në mbrëmje, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë shprehur se janë të “shqetësuar nga pasojat” e vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të mos e “ricertifikuar” marrëveshjen për çeshtjen bërthamore iraniane.”Ne, krerët e shtetit dhe qeverisë së Francës, Gjermanisë dhe Mrbetërisë së Bashkuar, e kemi ndjekur me vëmendje vendimin e Presidentit Trump për të mos e ricertifikuar, përpara Kongresit, respektimin nga Irani” të marrëveshjes dhe “ne jemi të shqetësuar për pasojat që mund të rezultojnë nga kjo”, kanë shpjeguar tre vendet në një komunikatë të përbashkët. Tre vendet nënvizojnë se i “qëndrojnë fuqishëm” kësaj marrveshjeje të 2015 përmes së cilës Irani qe angazhuar të mos e zhvillonte armën bërthamore përballë përshkallëzimit të sanksioneve ekonomike të fuqive të mëdha. “Ne inkurajojmë Administratën dhe Kongresin amerikan të marrin në konsideratë pasojat që mund të ketë vendimi i tyre për sigurinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj, përpara se të ndërmarrin çfarëdolloj mase që rrezikon të cënojë” marrëveshjen, për shembull rivendosjen e sanksioneve të hequra tashmë ndaj Iranit, theksojnë tre vendet evropiane. Ata shtojnë ndërkaq se ndajnë të njëjtat “shqetësime si amerikanët për programin e rraketave balistike të Iranit dhe aktivitetet e tij në rajon” dhe deklarojnë se janë të gatshëm të ndërmarrin “masa të tjera të përshtatëshme për t’i trajtuar këto çeshtje, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në dhe të gjithë aleatët e tjerë. “Ne presim nga Irani që të angazhohet në një dialog konstruktiv për t’i ndërprerë aksionet destabilizuese dhe për të punuar për gjetjen e solucioneve të negociueshme”, përfundon komunikata.

Donald Trump i bëri thirrje të premten Kongresit ta ashpërsonte marrëveshjen ndërkombëtare që synon ta ndalojë Iranin të pajiset me bombë atomike, ndonëse nuk shkoi deri tek “grisja” e saj siç pati premtuar gjatë fushatës. Donald Trump njoftoi se SHBA nuk do të tërhiqej por ka saktësuar se nuk do të “certifikonte” faktin që Teherani respekton angazhimet e tij, pavarësisht nga garancitë e Agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore. Duke kërcënuar se do të anulojë pjesëmarrjen e SHBA-së “në çdo moment”, ai u ka bërë thirrje parlamentarëve amerikanë por edhe vendeve të tjera nënshkruese – Rusisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, që të tregohen më të ashpër me Teheranin.

Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e ka përshëndetur “vendimin e guximshëm” të presidentit amerikan Donald Trump për të mos e certifikuar marrëveshjen për çeshtjen bërthamore iraniane. “E përgëzoj presidentin Trump për vendimin e tij të guximshëm për t’u përballur me një regjim terrorist iranian”, ka deklaruar Benjamin Netanjahu në një deklarim në media pak kohë pas fjalimit të presidentit amerikan. “Nëse marrëveshja (bërthamore) me Iranin mbetet e pandryshuar, një gjë është e sigurt: pas ca vitesh, regjimi më i keq do të disponojë një arsenal armësh bërthamore, çka përbën një rrezik të madh për të ardhmen tonë të përbashkët”, ka paralajmëruar kryeministri.

Edhe mbretëria saudite e ka përshëndetur “strategjinë e vendosur” të presidentit amerikan. “Arabia saudite e mbështet dhe e përshëndet strategjinë e vendosur të proklamuar nga presidenti Trump ndaj Iranit dhe politikës së tij agresive”, ka deklaruar qeveria në një komunikatë. Mbretëria saudite rikonfirmon me këtë rast “angazhimin për të punuar me partnerët e vet në SHBA dhe në botë për t’u bërë ballë rreziqeve që shkaktojnë politikat iraniane për paqen dhe sigurinë në botë. Sipas Riadit, Irani ka “përfituar ekonomikisht nga heqja e sanksioneve” pas përmbylljes së marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore “për të destabilizuar rajonin dhe për të fuqizuar programin balistik”.

Veritas.com.al/