Arretimi i shpejtë i gjyqtarëve, prokurorëve dhe ushtarakëve pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, treguan se qeveria e kishte përgatitur më parë listën e të arrestuarve, u shpreh komisioneri për zgjerimin në BE, Johannes Hahn.

“Duket të paktën se diçka ka qenë e parapërgatitur. Listat ishin gati, çka tregon se ishin të përgatitura dhe gati për t’u përdorur në një fazë të caktuar”, u shpreh Hahn.

Autoritetet turke kanë arrestuar rreth 6 mijë persona, si organizatorë të grushtit të dështuar të shtetit. Por nga BE po vijnë gjithnjë e më shumë zëra se grushti i shtetit ka qenë një inskenim i vetë Erdogan për të forcuar pozitat dhe për të ndryshuar Kushtetutën, që e shndërron Turqinë në Republikë Presidenciale (lexo më poshtë në rubrikën lajme të Lapsi.al).

Erdogan ka akuzuar Fetullah Gylenin si ideator të komplotit. Por Gylen, që jeton në Pensilvania të SHBA, ka mohuar akuzat. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry i kërkoi Turqisë të paraqiste prova dhe të tregohej e kujdesshme me gjuhën e përdorur në këtë rast. Edhe SHBA tregoi kështu në këtë rast mosbesim ndaj asaj çka pretendon Erdogan.

Deklarata e komisionerit Hahn u ka dhënë një zë zyrtar këtyre dyshimeve.