Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti dje në një takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos mbi ecurinë e integrimit europian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Gjatë takimit, Komisionerja Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës. “Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Europën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE”, u shpreh ajo.
Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar atë si prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar. “Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve “për Shqipërinë dielli lind nga perëndon”. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, u shpreh ai.
Komente