Letrën e ardhur nga KE tani të gjitha palët mund ta marrin në favor të secilit…
Komisioni Europian ka dhënë dakordësinë e tij për amendimin e ligjit për Teatrin Kombëtar në Tiranë, por njëkohësisht kërkon nga qeveria një garë të hapur e transperente, duke ftuar edhe aktorë të tjerë të interesuar.
Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, i ka dërguar një letër qeverisë në të cilën sqarohet se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por i sugjeron qeverisë që të ftojë edhe aktorë të tjerë të interesuar në garë.
Në letër shkruhet se “Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë”, por nga ana tjetër, ajo shprehet se nuk ka asnjë shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përkundër asaj çfarë ka deklaruar deri më sot opozita shqiptare.
“Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike dhe jo mbi acquis-të e Bashkimit Europian. Ndonëse, në këtë pikë nuk vërejmë asnjë shkelje të MSA-së, Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”, thuhet të letrën e Komisionit Europian.
Veritas.com.al/