E para që u mor në pyetje ishte administratorja e “Integrated Energy BV SPV”, Arjola Kodra – kompani e cila menaxhon fushën e përpunimit të mbetjeve në Tiranë.
Kjo e fundit u pyet nga kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, nëse kishte njohje me tre biznesmenët e shpallu ne kerkim Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mertiri.
“Nuk jam e detyruar të kontaktoj me nënkotraktorë sepse kam një staf që merret me këtë punë. Unë kontaktet nuk i kam të drejta me nënkotraktorët, komunikoj nëpërmjet stafit tim. Unë s’e kam memorizuar këtë pjesën e takimit”, ishte përgjigja e saj para komisionit të hetimit.
Kodra theksoi ndër të tjera se falë menaxhimit të mbetjeve nga kompania që ajo administron, zona është më e pastër dhe katastrofa e mëparshme nuk ekziston më.
“Sot qytetarët e Tiranës kanë një hapësirë moderne të trajtimit të mbetjeve, sot ajo situatë katastrofë nuk ekziston më. Ne jemi brenda afateve të vendosura nga kontrata për mbarimin e punimeve. Kontrata paraprake përfshin rehabilitim, rregullim të infrastrukturës së zonës, gjelbërim etj.”, tha ndër të tjera ajo.
Po ashtu ajo u pyet edhe nëse kishte pasur njohje me kryeministrin Edi Rama apo ministrin Infrastrukturës dhe Energjisë, asokohe, Damian Gjiknuri.
Përgjigja e saj ishte e prerë se i njeh vetëm si politikanë dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakt me ta, as ajo as familjarët e saj.