Vetëm një orë pas rifillimit të seancës, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriano Sako, braktisi Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, i adresoi dhjetë pyetje Sakos.

Kjo e fundit iu përgjigj pyetjeve të Tabakut, por pas pyetjeve të deputetes demokrate, Ina Zhupi, ajo braktisi seancën duke mos iu përgjigjur kështu Zhupës.

Fill pas këtij veprimi, Tabaku kërkoi nga anëtarët që të kallëzohet penalisht Sako për mos dhënie te dëshmisë se saj.

“Ju lutem të përgatitet një padi ndaj Emiriana Sakos për refuzimin për të dëshmuar”, tha Tabaku në fjalën e saj.

Sako sqaroi fillimisht se nga viti 2020 mban pozicionin e zëvendëskryetares së bashkisë dhe se me vendim këshilli mban detyrën aktualisht të kryebashkiakes.

“Porto Romano ka qenë një gangrenë për Durrësin. Durrësi ka shpëtuar nga ky problem në sajë të zgjidhjes së dhënë nga qeveria, ku ky vend-depozitim është kthyer në park publik”, tha Sako.

Duke folur për detyrën e saj, administratorja e qytetit bregdetar u shpreh se asokohe Durrësi gjendej në një situatë të vështirë nga tërmeti dhe një situatë post-pandemike.

“Në qershor të vitit 2020, patëm një kauzë për mbetjet, pasi vendpozitimi i Porto Romanos u mbyll për t’u kthyer në park. Durrësi depozitoi edhe njëfarë periudhe në Porto Romano e më pas ndaluan, pasi pengohej projekti”, vijoi gjatë dëshmisë Sako.

Kreu i Bashkisë së Durrësit cilësoi më pas hapat nga hartimi i studimit deri te miratimi.

Sa i takon depozitimit të mbetjeve, ajo shtoi se nga landfilli i Sharrës morën mbështetje, derisa përfunduan procedurat.

“Nuk ka pasur marrëveshje, ne kemi depozituar në Sharrë sepse qyteti ndodhej gjashtë muaj pas tërmetit”, argumentoi ajo.

Ndërprerja

Më herët, seanca u ndërpre për shkak të debateve të forta mes palëve.

Shkak kryesor u bë një takim i Tabakut, me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, mëngjesin e 21 shkurtit.

Në nisjen e procesit të kësaj dite, zëvendëskryetarja nga radhët e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, bëri me dije se Tabaku do të kallëzohet penalisht, pasi ajo nuk ishte mandatuar nga ky komision për të zhvilluar këtë takim me Krajën.

“Sipas deklarimeve që keni bërë gjatë ditës së sotme, ju qartësisht keni kërkuar që të nxisni SPAK-un për të vepruar konform interesave politikë të PD-së. I keni ofruar mbështetje politike SPAK-ut, keni ofruar dokumente në dispozicion ende pa marrë një vendim Kuvendi”, tha Felaj në fjalën e saj.

Sipas kësaj të fundit, Tabaku do të kallëzohet në SPAK për veprën penale “Të ushtrimit të ndikimit të funksioneve publike në mënyre të paligjshme” dhe “Shpërdorim detyre”.

“Tabaku është duke shkelur ligjin pikë për pikë”, tha ndër të tjera Felaj.

Pas akuzës së Felajt, nisi përplasja e Tabakut, duke i bërë me dije se ajo e kishte njoftuar javën e kaluar Komisionin për takimin që do të zhvillonte me Krajën.

Tabaku iu drejtua Felajt që të qetësohej ose do të merrte masa ndëshkimore kundër saj, pasi ajo nuk po e linte të fliste.

“Ju lutem. Je duke prishur komisionin hetimor. Nuk ma humb dot durimin mua. Pusho po të them, se do të marr masa dhe do të të përjashtoj nga Komisioni. U kërkoj shërbimeve të Kuvendit që të marrë masa ta largojë”, iu drejtua Tabaku duke ngritur zërin për Felajn, pasi kjo e fundit kërkonte fjalën.

Ndër të tjera, Tabaku vijoi duke thënë se Felaj dhe disa anëtarë të komisionit nga radhët e PS-së janë në konflikt interesi me ecurinë e hetimit.

Madje Luçiano Boçi, nga radhët e PD-së, theksoi se Felaj duhej të ishte dëshmitare e këtij komisioni dhe jo anëtare.

Pas qetësimit të debateve mes anëtarëve duke akuzuar njëri-tjetrin, u paraqit për të dëshmuar Valbona Ballgjini – ish-anëtare e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës.

Kjo e fundit nuk pranoi të dëshmonte me arsyetimin se e kishte dhënë një të tillë dhe mund të cenonte sekretin hetimor të SPAK-ut, pavarësisht se Tabaku i bëri me dije se po kryente vepër penale.

“Në momentin që jemi thërritur në SPAK na është lënë detyrë që asgjë të mos dalë nga ajo që është diskutuar atje. Kam ardhur në respekt të atij komisioni, por nuk do të jap asnjë përgjigje për asgjë, sepse më kanë thënë nga SPAK që çdo deklaratë cenon sekretin hetimor“, tha Ballgjini në fjalën e saj.

Pas refuzimit të dëshmisë së Ballgjinit, Tabaku njoftoi se u mbyll seanca e parë për t’u rikthyer në orën 13:00 me dëshmitaren e radhës, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.