Përsëri Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi mblidhet pa praninë e Opozitës. Komisioni është mbledhur sot, dhe po vazhdon punimet.
Çfarë bie në sy veçanërisht në këtë rast, është se Komisioni mblidhet pa Opozitën pas një turi të gjatë të vajtje- ardhjes së ambasadorëve të SHBA dhe BE me qëillim që të sigurohet pjesëmarrja e opozitës në proces.
Por duket se këto përpjekje kanë shkuar dëm.
Gjithashtu është shënuar edhe betimi i LSI se “Reforma pa opozitën nuk është e ligjshme”.
Megjithatë Komisioni u mblodh sot pa Opozitën
Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi është mbledhur sërish sot për të vazhduar miratimin e 7 ligjeve për paketën kushtetuese, por pa praninë e opozitës, ashtu si dhe herën e kaluar.
Kryeministri Rama dhe aleati i tij Ilir Meta e deklaruan javën e kaluar se do të avancojnë me reformën pavarësisht se nuk e kanë arritur kompromisin me opozitën për ”vendet e rezervuara”, të pretenduara prej saj. Kjo pikë do të vazhdojë të mbetet pezull dhe do të diskutohet ndërmjet një “kanali komunikimi” që maxhoranca ia ka lënë hapur opozitës për ditët në vazhdim.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, e paralajmëroi qeverinë sërish dy ditë më parë se “dërgimi në Kuvend i draftit të njëanshëm për ndryshimet kushtetuese është një akt i ulët provokimi dhe një përshkallëzim i krizës dhe tensionit shoqëror në vend.
Çdo tentativë për të trafikuar qoftë dhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare, – tha Basha, – si hapi i pare drejt përvëlimit të parlamentit ilegjitim që do të jetë edhe përgjigjja e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë. Rruga e vetme për një reformë në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.”