Kompania turke Turkish Airlines do të nisë fluturimet direkte drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe anasjelltas.

Në faqen zyrtare të kompanisë njoftohet se fluturimet direkte drejt Tiranës do të nisin më 10 janar, por prenotimet mund të realizohen vetëm pas datës 23 janar. Biletat variojnë nga 51 deri në 58 euro për një drejtim.

Ky vendim i kompanisë turke vjen pas shitjes së 49% të aksioneve që ajo zotëronte në kompaninë shqiptare të fluturimeve Air Albania.

Pas shitjes së aksioneve, kompania turke anuloi edhe shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar qytetarët që kishin bileta të tilla të fluturonin drejt kryeqytetit turk nga Podgorica, në Mal të Zi.

Dalja e Turkish Airlines nga ky partneritet vjen menjëherë pasi kompania ra dakord të blinte deri në 27% të aksioneve të Air Europa, një veprim që synon zgjerimin e shtrirjes së saj globale dhe hapjen e tregjeve të reja të turizmit dhe të ngarkesave midis Turqisë dhe Amerikës Latine. Ky ndryshim sugjeron një strategji të fokusuar në mundësi më të mëdha dhe më konkurruese për të forcuar pozicionin e saj strategjik në industrinë globale të aviacionit dhe për të rritur numrin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

Një tjetër arsye e shitjes së aksioneve që kompania turke kishte në Air Albania mendohet të jetë edhe gjendja financiare, pasi fitimet kanë rezultuar më të vogla sesa shpenzimet gjatë vitit 2025.

Ndërkohë, kompania shqiptare Air Albania, sipas kërkimit në faqen e saj zyrtare, nuk ofron fluturime drejt Stambollit për ditët në vijim.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *