Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale, Kisha Katolike, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve dhe Vëllazëria Ungjillore kanë bërë njëzëri apel “për garantimin e një procesi parazgjedhor dhe zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës”.
Ja Deklaratë e Komuniteteve Fetare:
“Ne Komunitetet Fetare në Shqipëri, Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale, Kisha Katolike, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve dhe Vëllazëria Ungjillore, në përputhje me natyrën e veprimtarisë tonë shpirtërore, ndiejmë përgjegjësinë shpirtërore dhe morale që kemi për besimtarët tanë, por edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Me anë të kësaj deklarate të përbashkët, duke u nisur edhe nga situatat e fundit të krijuara, ashtu sikurse edhe në ndonjë rast në të kaluarën, dëshirojmë t’i drejtohemi klasës politike dhe të gjithë atyre që kanë përgjegjësi institucionale për të mirën e vendit.
Nuk është detyra jonë të gjejmë apo të tregojmë zgjidhje konkrete për situatën e krijuar. Ajo është punë e politikës, e cila ka fushën e saj të veprimit dhe është e mandatuar nga populli për këtë gjë.
Falënderojmë Zotin për shumë punë të mira që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen, si edhe për seriozitetin e shumë njerëzve që punojnë pa u lodhur, edhe pse shpesh të panjohur, në zbatim të ligjit e për të mirën e shoqërisë.
Por gjithashtu, ne jemi të shqetësuar për klimën e krijuar në vend e në mënyrë të veçantë:
-për mungesën e dialogut politik dhe të vullnetit për dialog për zgjidhjen e ngërçeve, sidomos për çështjen e zgjedhjeve, që janë një instrument i domosdoshëm për mirëqenien shoqërore të shqiptarëve;
-për retorikën e dhunshme dhe përçmuese që përcillet nëpërmjet kanaleve të informimit publik dhe në rrjetet sociale nga ana e atyre që mbajnë poste apo kanë pozicione publike dhe të rëndësishme në jetën e vendit;
-për dukuritë e korrupsionit dhe të prodhimit të lëndëve narkotike, që dëmtojnë sot dhe në të ardhmen jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre;
Të gjitha këto që u thanë më sipër mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit, që për ne është një e mirë e madhe për të gjithë shoqërinë e për çdo njeri dhe që duhet ta ruajmë me çdo kusht.
Prandaj, ne ftojmë me ngulm dhe me forcë të gjithë faktorët politikë në Shqipëri, nga ana e opozitës dhe e qeverisë, parti të vogla e të mëdha:
-për ndërtimin e urave dhe jo të mureve. Duhet një dialog i sinqertë,i bërë në shumë nivele, duke përfshirë sa më shumë aktorë dhe faktorë. Keni përgjegjësi përpara popullit dhe duhet të mendoni për të qysh nga dita që keni marrë përsipër të hyninë politikë. E mira e popullit është synimi juaj madhor.
-për uljen e toneve të retorikës së dhunshme dhe përçmuese ndaj kundërshtarit politik. Kjo vetëm nxeh gjakrat dhe nxit veprime të dhunshme.
-për garantimin e një procesi parazgjedhor dhe zgjedhor transparentdhe gjithëpërfshirës. Në mënyrë të veçantë e sidomos u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien pre e tundimit të shitblerjes së votës apo të votimit nën kërcënim për vendin e punës që është buka e fëmijëve. Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për zgjedhjet, që të luftojnë të gjithë dukurinë e shitblerjes së votës dhe kërcënimit për vendin e punës.
-për krijimin e kushteve që ligji dhe e drejta të sundojë në jetën shoqërore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ashtu bëjmë thirrje që çdo nismë qytetare dhe politike për të shprehur mendimin dhe dëshirat të shërbejë për të mirën e përbashkët dhe të shmangë çdo lloj dhune ndaj njerëzve, objekteve dhe institucioneve.
Të bindur se me anë të kësaj deklarate po japim një kontribut për mbarëvajtjen e vendit, ne do të vazhdojmë të lutemi për të ardhmen dhe mirëqenien e vendit tonë.
Tiranë, 12 maj 2017”