Komiteti Teknik i Ekspertëve, paraditen e 23 dhjetorit, ka njoftuar se janë konfirmuar dy raste pozitive me variantin Omicron në Shqipëri.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Eugena Tomini, gjatë një daljeje publike, bën të ditur se kemi prezencë të Omicron-it, “por më shumë të variantit Delta”.
Kurse zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se niveli i masave që janë në fuqi, për të parandaluar përhapjen e pandemisë, “mbeten në fuqi”.
Rakacolli tha se kufizimi mbetet ai i orës 23.00- 06.00, ndryshe nga nata e ndërrimit të viteve.
“Ora policore nuk ka lidhje me organizimin e aktivitetit, por me lirimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë asaj nate. Do të jenë të lejuara sipas të gjitha përcaktimeve që janë bërë me kohë, lidhur me standardin e grumbullimit dhe kapacitetet”.
Ndërsa, duke filluar nga data 4 janar e vitit të ri, punonjësit e administratës publike dhe ato të qendrave tregtare e supermarketeve, do u kërkohet të paraqesin certifikatën e vaksinimit.
Po ashtu, u fol dhe për përmirësimin e strukturave shëndetësore, atë të rikonstruktimit të Spitalit Infektiv të Tiranës.
“Në kuadrin e përmirësimit të strukturave tona shëndetësore dhe rritjen e standardeve, në program të qeverisë është edhe rikonstruksioni i Spitalit Infektiv, që është një godinë gati gjysmëshekullore”, tha Rakacolli.
Duke sqaruar, ajo tha se “urgjencat kirurgjikale nuk do të ofrohen në ambientet e QSUT-së, për një periudhë”.
Sipas saj “do të ofrohen në dy spitale të tjera universitare, Trauma dhe Shefqet Ndroqi”.