Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në fjalën e mbajtur në takimin në kuadër  të Samitit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, u shpreh se, ky është një proces që do të shërbejë për të forcuat dhe përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai përmendi në fjalën e tij jo vetëm luftën në Ukrainë, por edhe agresionin e HAMAS-it në Izrael, që sipas tij tregoi edhe njëherë situatën e vështirë aktualisht. Ai nuk la pa përmendur as atë që po ndodh në veri të Kosovës, për të cilën kërkoi zbatimin e udhëzimeve të dhëna nga BE.

“Unë mbaj mend shumë mirë kur u takuam vjet në Berlin dhe ramë dakord që ky proces është më i miri për të përshpejtuar integrimin në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Është shumë e qartë që fakti që ne jemi të ulur këtu të gjithë së bashku, e dimë që kemi një situatë shumë të vështirë, shumë pranë nesh me agresionin e HAMAS-it në Izrael.

Ka ardhur koha të tejkalojmë konflikte që kanë vijuar për shumë gjatë dhe që po ju mbajnë ju në vendnumëro. Zhvillimet në veri të Kosovës e tregojnë këtë. Ne duhet të zbatojmë udhëzimet e arritura nga BE.

Ne duhet ta përdorim këtë rast për t’u përqendruar tek objektivi i Ballkanit Perëndimor, që është integrimi në Bashkimin Evropian. Ne duhet të punojmë më tej në këtë drejtim ku jemi deri më tani.

Ju mund të mbështeteni tek ne, te Gjermania, te qeveria jonë, ky është procesi i Berlinit dhe të vijojmë në rrugën tonë për të bërë këtë realitet.”

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz