Ka shumë gjëra që ende nuk dihen rreth sulmeve amerikane kundër objekteve bërthamore të Iranit. Megjithatë, po vijnë raportime rreth vendeve që u goditën dhe elementëve ushtarakë, që ishin të përfshirë, ndërsa presidenti Donald Trump përshëndeti sulmin.

Cilat vende u goditën?
Amerika duket se ka goditur tre vendet kryesore në programin bërthamor të Iranit. Ato përfshijnë Isfahanin, vendndodhjen e një baze të rëndësishme kërkimore, si dhe objektet e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordow.

Besohet se Natanz është dëmtuar më parë në sulmet izraelite pasi bombat ndërprenë energjinë elektrike në sallën e centrifugave, duke shkatërruar ndoshta makinat në mënyrë indirekte. Megjithatë, objekti në Fordow, i cili është “varrosur” rreth 80 metra nën një mal, më parë i kishte shpëtuar dëmtimeve të mëdha.

Detajet rreth dëmit në sulmet amerikane nuk dihen ende, megjithëse zoti Trump tha se të tri vendet ishin “shkatërruar”.

Çfarë armësh u përdorën në sulme?

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk dhanë menjëherë detaje mbi operacionin, por një zyrtar amerikan tha se ishin të përfshirë bombardues të rëndë B-2. Prezantuesi i Fox News, Sean Hannity, tha se kishte folur me presidentin dhe se gjashtë bomba shpërthyese bunkerësh u përdorën në objektin Fordow.

Bombat shpërthyese bunkerësh janë projektuar të shpërthejnë dy herë.

Një herë “pas kontaktit me sipërfaqen e tokës” dhe përsëri pasi bomba të jetë zhytur në një thellësi të caktuar.

Izraeli ka disa në arsenalin e tij, por nuk ka GBU-57 shumë më të fuqishme, e cila mund të lëshohet vetëm nga bombarduesi B-2 dhe besohej të ishte e vetmja bombë e aftë të shkelte Fordow.

Ndërkohë, Hannity theksoi se 30 raketa Tomahawk të lëshuara nga nëndetëset amerikane 400 milje (rreth 650km) larg goditën vendet bërthamore iraniane të Natanzit dhe Isfahanit.