Partia Socialiste mbledh të dielën Kongresin Zgjedhor në orën 11:00 ne pallatin e Kongreseve.
Selia rozë nuk ka shpërndarë një axhendë publike as për anëtarët e saj, por A2CNN ka mësuar se punimet e Kongresit do të jenë një miksim i punëve të partisë dhe ato të qeverisë së Edi Ramës.
Do të votohet Asamble e re, ku Rama ka kërkuar që të jenë të rinj dhe të filtrohen dy të punësuarit apo drejtorët që kanë poste në parti dhe administratë.
Asambleja e PS ka 350 anëtarë, por Kongresi do të zgjedhë vetëm 156 prej tyre, pasi anëtarët e tjera janë automatikisht për shkak të funksionit ( kryetarët Kuvendi, deputetë, ministra, kryetarë bashkish).
Një nga çështjet kryesore të diskutimeve për partinë që do të mbahet në fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të PS do të jetë rienergjizimi dhe anëtarësimet e reja. Gjithashtu Rama pas miratimit të Kuvendit për votën e emigranteve, pritet t’i kthehet edhe njëherë tureve jashtë vendit.
Për kandidatët të cilët do të aspirojnë të bëhen deputetë me PS, kryesocialisti do të prezantojë edhe platformën për përzgjedhjen e kandidatëve.
Përpos partisë tre shtyllat objektiv të qeverisjes do të jenë turizmi-antikorrupsioni dhe mirëqeverisja. Përveç kryeministrit pritet të flasin edhe ministrat sipas fushave të përcaktuara si prioritet për platformën e qeverisjes së tij.