Kongresi i Partisë Socialiste është mbledhur sot në Durrës. Ra në sy se Kongresin e hapi një ministër, pikërisht ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili nga foltorja e Kongresit premtoi edhe 220 mijë vende të reja pune në mandatin e dytë qeverisës.
Shifra që hodhi Ministri i Financave u tha në një atmosferë spektakli, siç është Kongresi i PS. Me një deklaratë të tij për vendet e reja të punës, ai jo vetëm rrezikoi postin e ministrit, por edhe nxori si jo reale fjalët e kryeministrit. Ahmetaj kishte deklaruar se në mandatin e parë u mbajt premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës. Edi Rama në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News 24, tha se kjo nuk ishte e vërtetë. Kur i vunë para deklaratën e ministrit, Rama u vu në vështirësi. Kryeministri llogariti 183 mijë vende të reja pune në sektorin jobujqësor dhe të tjerat në sektorin bujqësor.
Kur flasin për vende të reja pune, socialistët flasin për atë që e quajnë konceptin europian të vendeve të punës. Një vend pune mund të ketë ekzistuar më parë, por regjistrohet në shtet, atëherë llogaritet si një vend pune i ri.
Kryetari i Partisë LIBRA, Ben Blushi, ish deputet i PS tha se ‘ky është kongresi i papunësisë’.
/Veritas.com.al/