Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dërguar sot, 15 dhjetor, një letër Këshillit Bashkiak përpara miratimit të buxhetit të vitit 2026, ku kërkon që të merret në konsideratë mendimi i tij në këtë proces.

Në letër, Veliaj thekson se miratimi i buxhetit pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur përbën një devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe cenon funksionimin normal institucional.

Sipas tij, një veprim i tillë do të përbënte edhe pengim të realizimit të mandatit të tij demokratik, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në vendimmarrje.

Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak,

Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.

Më datë 18 dhjetor, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Ky moment përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës.

Dëshiroj të rikujtoj se, sipas ligjit nr. 139/12015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, kuadrit ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si edhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.

Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.

Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.

Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:

  1. Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;
  2. Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;
  3. Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese.

Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe me parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht. Një buxhet i miratuar në këto kushte, pavarësisht faktit se ekziston tashmë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vijimin tim në detyrë, do pasqyronte objektivisht faktin se Kryetari i zgjedhur i Bashkisë po pengohet në ushtrimin e mandatit të tij, me pasoja serioze jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *